Kosova ka vendosur së fundmi të hapë korridoret ajrore me Shqipërinë, një vendim i cili pritet të shkurtojë fluturimet për udhëtarët në drejtim të vendeve të BE-së me të paktën 15 minuta.
Lajmi u dha nga Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale shkruan se nga 1 janari qytetarët e Kosovës përveçse do të udhëtojnë pa viza, do të kursejnë edhe më shumë kohë.
Marrëveshja me Shqipërinë, për ta shfrytëzuar korridorin ajror të këtij vendi, është arritur në vitin 2020. Kjo marrëveshje ka paraparë hapjen e dy pikave koordinuese ajrore, Kukad dhe Arbër.
Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës (AAC), i cili menaxhon hapësirën e ulët ajrore të vendit, marrëveshja nuk është zbatuar për shkak të disa procedurave teknike që është dashur të miratohen nga Shqipëria dhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.
Pas hapjes së korridorit ajror të Kosovës me Shqipërinë, përveç shkurtimit të kohës së fluturimit, do të ulet edhe çmimi i biletave. (A2 Televizion)