Kosova pas heqjes së vizave, A2 CNN tregon shifrat, ja sa qytetarë udhëtuan jashtë

Nga Ideal Gola
1 Shkurt 2024, 20:10 | Aktualitet

Kosova pas heqjes së vizave, A2 CNN tregon shifrat, ja sa qytetarë

Mbi 116 mijë persona janë larguar më shumë nga Kosova në muajin janar të këtij viti krahasuar me janarin e vitit 2023. Sipas të dhënave nga Sistemi i Menaxhimit Kufitar, në Kosovë kanë hyrë edhe rreth 94 mijë persona më shumë këtë janar në krahasim me atë të vitit të kaluar.

Nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” thanë se në muajin janar 2024 janë shërbyer mbi 287 mijë udhëtarë apo rreth 22% më shumë sesa në muajin janar 2023 dhe 996 fluturime apo 23.3 për qind më shumë krahasuar me janar 2023. 

Dyndje ka pasur edhe në dyert e Agjencisë së Regjistrimit Civil në kërkesa për t’u pajisur me pasaporta.  “Krahasuar me vitin e kaluar kemi diferencë jashtëzakonisht të madhe, duke ditur se qytetarët nuk kanë mundur të lëvizin lirisht, kërkesat në këtë muaj (janar 2024) kanë shkuar diku rreth 70 mijë”, tha Blerim Camaj, drejtor i Agjencisë për Regjistrim Civil.

Interesim të shtuar për pasaporta ka pasur edhe në katër komunat veriore me shumicë serbe. “Janë mbi 7 mijë qytetarë që janë pajisur me pasaporta në komunat veriore por aplikimi është duke vijuar, kërkesat janë të shtuara. Krahasuar me vitin e kaluar 28 pasaporta kanë qenë në komunat veriore tash diku i kemi mbi 800 pasaporta vetëm brenda muajit janar”, tha Camaj.

Megjithtë shifrat e serbëve që të pajisjen me pasaporta të Kosovës pritet të jenë më larta pasi numri i atyre që janë pajisur me letërnjoftime është shumë i lartë.

“Në të gjitha komunat me shumicë serbe janë pajisur mbi 35 mijë qytetarë me pasaporta, ndërsa vetëm në katër komunat veriore janë mbi 40 mijë qytetarë të pajisur me letërnjoftim që kanë procedurë shumë të lehtësuar kur duan të marrin pastaj pasaportën”, tha Camaj.

Camaj tha se edhe problemet me mungesë të materialit për pasaporta tashmë janë tejkaluar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos