Mbërrijnë në Kosovë 1.640 pako me fletëvotime nga Austria

Nga A2 CNN
6 Shkurt 2025, 19:49 | Aktualitet

Mbërrijnë në Kosovë 1.640 pako me fletëvotime nga

Sot pasdite në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Prishtinë kanë mbërritur 1.640 pako me fletëvotime, të cilat i takojnë procesit të votimit përmes postës në kutitë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, nga Austria.

Kjo është bërë e ditur nga zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi. Ai ka thënë se sipas procedurave, fillimisht këto pako me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshinë verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara.

Ndërkaq numërimi i këtyre fletëvotimeve do të bëhet në një fazë të mëvonshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pas ditës së zgjedhjeve.

“Edhe procesi i vlerësimit të dërgesave postare do të mund të vëzhgohet nga vëzhgues të akredituar nga KQZ-ja, të cilët do të njoftohen me kohë”, ka thënë Elezi për KosovaPress.

Aktualisht, është duke u zhvilluar periudha e votimit përmes postës, e cila vlen vetëm për shtetasit që gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës janë përcaktuar individualisht për mënyrën e votimit duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës, apo duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.

Kjo periudhë votimi ka filluar më 9 janar dhe do të përfundojë më 8 shkurt 2025. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos