Deputetët socialistë kishin marrë urdhër të vinin herët në seancë, për të shmangur protestuesit, por pritën e parë e gjetën në ambientet e lokaleve pranë Parlamentit, ku ishin mbledhur. Goditja e disa prej tyre me vezë solli ndërhyrjen e policisë.
Ende pa nisur punimet, grupi parlamentar demokrat njoftoi bojkotin e seancës. Kush kishte mbërritur në sallë, u largua.
“Nëse Parlamenti zhvillon punimet nën rrethimin e Policisë së Shtetit, vetëm me qëllim të shuarjes së zërit të qytetarëve, atëherë ai humbet misionin e tij të përfaqësimit të qytetarëve. Në kushtet kur mazhoranca vijon të refuzojë shqyrtimin e nismave ligjore të opozitës dhe Kryeministri, së bashku me Qeverinë, shmang sistematikisht llogaridhënien për çështje që prekin drejtpërdrejt interesin publik, prania jonë në seancë plenare sot nuk do t'i shërbente mbrojtjes së interesave të qytetarëve, por vetëm do të legjitimonte një proces parlamentar që po zhvillohet në kundërshtim me parimet e demokracisë parlamentare”, tha Grupi Parlamentar PD.
Në këto kushte, mazhoranca reduktoi ndjeshëm folësit e saj, duke kaluar të gjithë rendin e ditës në më pak se dy orë.
Kreu i grupit parlamentar të PS pohoi disa herë, si brenda dhe jashtë sallës, se shumë shpejt mazhoranca do të takojë atë pjesë të protestuesve që vlerësohet pozitivisht prej saj. Taulant Balla nuk sqaroi si e bën këtë përzgjedhje mes protestuesve, apo nëse po negociohet për një takim me ta.
Balla mbrojti Policinë e Shtetit dhe dënoi dhunën e ushtruar ndaj saj, teksa shtoi listën e armiqve të Shqipërisë, që sipas tij nxisin këto zhvillime. Mbyllja e seancës nuk qetësoi situatën jashtë. Eskorta e kryeparlamentarit Niko Peleshi tentoi të dilte nga hyrja kryesore, por u detyrua të kthehej mbrapsht.
Përplasjet jashtë rrethimit të Parlamentit i komentoi edhe Kryeministri Rama. Rama u shpreh: “Protesta e bukur e qytetarisë, atdhedashurisë, pastërtisë, ia ka lënë vendin tanimë filmit të vjetër të konfliktit, sherrit, dhunës, ku thonjtë e politikës së dështimit dhe zemërimit po dalin në pah me pisllëkun e tyre karakteristik”.
Ndërkohë, ministrat dhe deputetët e mazhorancës u detyruan të evakuoheshin nga daljet dytësore të godinës, që përdoren nga Garda në raste emergjencash.
(A2 Televizion)