Prej orës 21:00, KQZ nuk ka përditësuar më rezultatin e fletëve të numëruara nga zgjedhjet e kësaj të diele në Kosovës, ndërsa festa ka nisur nga mbështetësit e Lëvizjes Vetëvendosje.
Në përditësimin e fundit të KQZ-së, pak pas orës 21:00, atëherë kur ishin numëruar rreth 23 përqind e votave, VV udhëhiqte bindshëm me 55 përqind të votave.
Kjo ka bërë që me dhjetëra makina, me flamuj kuqezi, kanë nisur festën në rrugët e Prishtinës.
Ndërkohë, zëdhënësi i KQZ, Valmir Elezi, reagoi për A2 në lidhje me numërimin e votave pas përfundimit të procesit të votimit në Kosovë.
"Ju njoftoj se KQZ është duke mbledhur të dhënat pas numërimit të fletëvotimeve nga vendvotimet. Janë evidente problemet teknike në platformë. Të dhënat janë duke u mbledhur nga terreni dhe më pas do të publikohen nga KQZ. Për shkak të interesimit të madh të qytetarëve për t’u qasur në platformën e rezultateve, është shkaktuar mbingarkesë në sistem. Të gjitha ekipet e KQZ-së janë duke punuar në terren dhe duke dërguar të dhënat të cilat po bëjmë përpjekje që t’i transmetojmë në kohë sa më të shpejtë. KQZ falënderon mirëkuptim të gjithë qytetarët dhe mediat", tha Elezi. (A2 Televizion)