Rama me pensionistët, flet për protestën dhe investimet që i duhen turizmit

Nga Ornela Joti
2 Korrik 2026, 15:01 | Sociale

Protesta qytetare e cila prej më shumë se një muaji po zhvillohet në bulevard, është komentuar sërish nga kryeministri Edi Rama. Gjatë një bashkëbisedimi me pensionistë të kryeqytetit ai tha se protesta paqësore është shenjë lirie dhe jo autokracie. Ndërsa për  tubimet para parlamentit dhe sulmet verbale dhe fizike ndaj deputeteve Rama tha protestuesit kanë hyrë në territore të tjera.

“Kjo protestë u tregon të gjithë atyre hienave, çakejve, sorrave dhe korbave, se ashtu janë, që rrinë dhe rrokanisin kokën e miletit çdo natë, që këtu është demokraci. Këtu nuk ka autokraci, këtu nuk ka rrahje protestuesish paqësorë. Ah, kur ti shkon atje një grup për të ushtruar presion fizik mbi deputetët, aty pastaj jemi në territore të tjera. Po ata që bëjnë këtë nuk kanë lidhje me flamingot. Flamingot janë paqësorë. Dallimi midis flamingove dhe sorrave e korbave është se flamingot janë paqësorë, ndërkohë që sorrat dhe korbat janë të dhunshëm”, tha Rama, përcjell A2 CNN.

“Kështu që ne, me flamingot, do t'i trajtojmë me shumë respekt dhe me shumë vëmendje shqetësimet dhe do të bëjmë më të mirën e mundshme. Do të bëjmë më të mirën e mundshme. Me sorrat dhe korbat ne nuk kemi çfarë bëjmë fare. Në fund, ata përsëri do të jenë të humbur dhe, siç u mblodhën kokrra-kokrra dhe bënë këtë tufën e zhurmshme, do të shpërndahen kokrra-kokrra dhe do të vazhdojnë të bëjnë atë "krah-kra-kra"-në e zakonshme”.

Kreu i qeverisë ka sqaruar qëndrimin e tij në lidhje me hapjen e turizmin dhe investimet për zhvillimin e këtij sektori por dhe për rritjen e ekonomisë. “I hedhin popullit gjithfarëlloj aguridhesh se këto resorte luksi janë vetëm për ata që vijnë dhe shqiptarët janë jashtë sistemit. Kjo është një çmenduri, sepse ato janë "fabrika" që krijojnë lëvizje në ekonomi. Ato nuk janë sisteme të mbyllura ku vijnë njerëzit, futen dhe ikin e s'i sheh njeri. Mund të mos i shohin, por ama e gjithë ekonomia rreth e rrotull vihet në lëvizje, sepse ato "fabrika", në thonjëza, por faktikisht ashtu janë, kanë nevojë për gjithë sistemin e prodhimit, kanë nevojë për fermerët rreth e rrotull, kanë nevojë për gjithë prodhimet vendase, kanë nevojë për gjithë sistemin e transportit rreth e rrotull, kanë nevojë për gjithë ata që peshkojnë, për të gjithë ata që rrisin dhe trajtojnë gjënë e gjallë e kështu me radhë”, shtoi Rama.

Gjatë bisedës me pensionistët Rama foli për vendimin e qeverisë në lidhje bonusin për këtë kategori por dhe për financimet që po ndodhin në sektorë të tjerë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos