Bonusi i verës prej 5.000 lekësh dhe indeksimi janë reflektuar në vlerat e pensioneve që pensionistët kanë tërhequr në sportelet e postës në këtë fillim korriku. Kamera 2 pyeti disa pensionistë në qytetet e Fierit dhe Vlorës se çfarë do të ndryshonte në jetën e tyre marrja e bonusit dhe indeksimi i pensioneve.
“Me ato do ta gënjejmë muajin. Po pse s'i japin ditë për ditë ato? Ditë për ditë. Ne pensionistët kemi punuar gjithë jetën”, thotë një pensionist. “Ato lekë t'ia falim Edi Ramës. Shumë nuk janë, por hajde, të paktën sa të marr ilaçet kësaj radhe. Ku na dalin këto? Jetojmë me borxhe”, thotë një tjetër.
“Çfarë janë 5.000 lekë? Nuk dua bonus, dua një pension që të ushqehem e të mos shkoj te komshinjtë për ndihmë”, thotë një grua. “Për ne është ndihmë. Unë mora 109.000 lekë dhe me këtë bonusin do të blej pesë bukë. Kaq është. Nuk është ndonjë gjë e madhe, por as pak nuk është”.
Si pensionistët e kënaqur, ashtu edhe ata të pakënaqur me bonusin dhe indeksimin, bien dakord në një kërkesë të përbashkët: pensionet duhet të jenë më dinjitoze në vlerën mujore dhe jo të mbështeten te bonuse e indeksime të tilla. (A2 Televizion)