Spanja, Greqia, Rumania, Qipro dhe Sllovakia janë pesë vendet e Bashkimit Evropian të cilat refuzojnë të njohin pavarësinë e Kosovës. Njohjet e tyre vlerësohen shumë të rëndësishme edhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, duke qenë se 4 prej tyre janë edhe anëtare të NATO-s. Pranimi i shtetësisë së Kosovës nga këto vende, për njohësit politikë, do të zhvlerësonte edhe njohjen nga vet Serbia.
“Njohja nga pesë vendet e BE-së për pavarësinë e Kosovës do të ishte gjëja më e rëndësishme në konsolidimin e shtetit të Kosovës. Prej kohësh çështja e Kosovës ka qenë çështje evropaine dhe nëse BE do ta kishte njohur pavarësinë e Kosovës si tërësi, unë konsideroj se në këtë mënyrë do ta defaktorizonte tej mase rolin e njohjes se Serbia do të mund t’i jepte Kosovës”, tha profesori Dorajet Imeri.
Problemet e brendshme dhe dialogu me Serbinë janë dy prej arsyeve kryesore që këto pesë shtete vijojnë të mos ndryshojnë qëndrim ndaj shtetit të Kosovës.
“Për aq kohë sa Kosova është në dialog është ëvshtirë të sigurohen njohjet nga vendet mosnjohëse të Bashkimit Evropian sepse të gjitha ato presin epilogun përfundimtar të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe pastaj të merret një vendim se cili do të jetë vendimi karshi Kosovës, kështu që pa u përmbyll çështja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është shumë vështirë të ketë njohje nga ana e pesëshes mosnjohëse nga vendet e BE-së”, tha politologu Arton Demhasaj.
“Meqë vendet i kanë disa shqetësime ose probleme, ose ndikime nga Rusia, vështirë sedo të mund të kemi së paku për momentin një ndryshim të qëndrimeve të tyre”, tha profesori Dorajet Imeri. Ministria e Punëve të Jashtme thotë se është në komunikim të vazhdueshëm me këto vende për të rritur bashkëpunimin në shumë fusha. Aktualisht Kosovën e kanë njohur 117 shtete, e fundit Izraeli në shkurt të vitit 2021. (A2 Televizion)