Nga Rambujeja në Ohër, ku është sot Kosova?

Nga Rosalba Bejdo
6 Shkurt 2024, 20:23 | Aktualitet

6 shkurt, 1999. Në Kosovë e kujtojnë si ditën e kthesës në historinë e vendit. Në kështjellën e Rambujesë, pranë Parisit, fati i Kosovës do të diskutohej për herë të parë në prani të një delegacioni të Jugosllavisë dhe atij që përfaqësonte shqiptarët e Kosovës.

Komuniteti ndërkombëtar, ose Grupi i Kontaktit për Kosovën, kishte propozuar një marrëveshje paqeje, e cila synonte dhënien fund të krizës humanitare, dhe zgjidhje politike për statusin kalimtar të Kosovës…

Sfidat për delegacionin e Kosovës ishin të mëdha. Ai përbehej nga 16 pjesëtarë, nga Lidhja demokratike e Kosovës, UCK dhe Lëvizja e Bashkuar Demokratike, të cilët nuk shkonin mirë mes tyre. Përveç mosmarrëveshjeve dhe qasjes së ndryshme ndaj ujdisë, e cila rikthente tek status quo-ja e para vitit 1990, delegacioni u has më vështirësi edhe për të mbërritur në Rambuje, i penguar nga Serbia. Në fund, pajtimi u arrit dhe Kosova nënshkroi marrëveshjen me përfaqësuesit amerikanë dhe britanikë.

Serbia nuk e pranoi marrëveshjen. Edhe përpjekja e fundit më 22 mars të 1999 nga i dërguari i posaçëm i SHBA, Richard Holbrooke, nuk ishte e suksesshme. Ai nuk ia doli ta bindte presidentin e atëhershëm të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç, që të pranojë marrëveshjen për Kosovën dhe vendosjen e trupave ndërkombëtare.

Më 24 mars 1999, NATO nisi bombardimin e trupave ushtarake dhe paraushtarake të Serbisë. Bombardimet përfunduan më 6 qershor te po atij viti, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës që parashikonte tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e forcave paqësore ndërkombëtare.

Sot, 25 vite më vonë, teksa pavarësia e Kosovës është një realitet i pranuar mbarë botërisht, Serbia vijon të jetë kundërshtuese, ndërsa ndërkombëtarët ende në rolin e ndërmjetësueseve, bombat ndaj Serbisë i kanë zëvendësuar me bomba fjalësh ndaj Kosovës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos