Osmani paralajmëron sulme të reja, Pistorius: Të ulen tensionet, Serbia s’mund të hajë me dy lugë

Nga Ideal Gola
5 Shkurt 2024, 20:55 | Aktualitet

Ministri gjermani Mbrojtjes, Boris Pistorius, kërkoi nga Prishtina uljen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se të gjitha çështjet e hapura duhet të zgjidhen përmes dialogut.

Askush nuk duhet dhe nuk mund të ketë në interes në tensionimin e mëtejmë të situatës, prandaj marrim parasysh tensionet aktuale me Serbinë dhe pakicën serbe në Kosovë, bëjmë thirrje të qartë për maturi dhe kujdes”, tha Pistorius.

Presidentja Vjosa Osmani u shpreh se Serbia vijon të financojë e stërvitë terroristë me qëllim destabilizimin e Kosovës.

Të gjitha dëshmitë që ne i marrim nga institucionet tona të sigurisë tregojnë se Serbia vazhdon të planifikojë sulme të reja. Ajo çfarë dua t’i siguroj qytetarët e Kosovës është që Serbia nuk do t'ia dalë”, tha Osmani.

Osmani kërkoi që ndërkombëtarët të ndëshkojnë Serbinë për sulmet e vazhdueshme ndaj Kosovës.

Ata kanë bërë sulm pas sulmi ndaj Kosovës edhe në dy vitet paraprake por për fat të keq kanë ikur pa asnjë pasojë, rrjedhimisht duhet të ketë pasoja për Serbinë”, u shpreh Presidentja e Kosovës.

Ministri gjerman foli edhe për ambiciet e Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian ndërsa ruan lidhjet e saj me Rusinë.

Secili vend i cili dëshiron t’i bashkohet 27 vendeve të BE-së të cilat kanë vlera, qëllim edhe përgjegjësi të përbashkëta në Evropë dhe botë nuk mund të hajë me dy lugë”, deklaroi ministri gjerman.

Në konferencë u prek edhe çështja e dinarit dhe e mbylljes së strukturave paralele serbe që ndërkombëtarët paralajmërojë se mund të nxisë tensione të reja në Kosovë.

Aleatët tanë i kemi në krah, aleatët tanë asnjëherë nuk kanë qenë kundër Kushtetutës së Kosovës, aleatët tanë asnjëherë nuk kanë qenë pro dinarit serb, aleatët tanë asnjëherë nuk kanë qenë kundër sundimit të ligjit”, theksoi Osmani.

Besoj që është mirë të bëhet dhe të zbatohet rregullorja mirëpo të jepet edhe një afat pak më i gjatë deri në fillimin e zbatimit të saj”, nënvizoi Pistorius.

Pistorius paralajmëroi ardhjen e një kontingjenti të ri ushtarësh gjermanë në kuadër të misionit të KFOR-it në pranverë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos