Ambasadori amerikan në Kosovë, Hovenier, kërkoi që të shtyhet zbatimi i rregullores së re të BQK-së që ndalon dinarin serb të përdoret si mjet pagese, si arsye u përmend edhe mundësia për tensione ndër etnike. Njohësit kërkojnë që këto pretendime të ambasadorit të merren seriozisht.
Shqetësimet e ambasadorit amerikan Hovenier, se ndalimi i qarkullimi të dinarit mund të nxisë tensione të reja ndër etnike në komunat me shumicë serbe në Kosovë, duhet të merren seriozisht.
Njohësit e çështjeve të sigurisë mendojnë se institucionet e Kosovës duhet të trajtojnë këtë çështje me partnerët ndërkombëtarë.
“Paralajmërimet e ambasadorit amerikan duhet të merren seriozisht dhe mendoj që Serbia do të provojë të instrumentalizojë serbët që banojnë në Kosovë me qëllim që të nxisë protestë që mund të jetë edhe e dhunshme”, thotë Selami Shkodra, ish-zëvendësministër i Brendshëm.
Megjithatë falë menaxhimit të situatës së Policisë së Kosovës dhe goditjeve të grupeve kriminale në veri, nuk priten sulme siç ndodhi në Banjskë.
“Mendoj që do të provojnë të instrumentalizojnë popullatën civile por nuk besoj që do të rrëshqasim në një situatë ku do të eskalojë”, vijon Shkodra.
Shtyrja për një periudhë të caktuar e zbatimit të rregullores së re të BQK-së shihet si një rrugëzgjidhje në këtë situatë.
“Vendimi është i drejtë, i ligjshëm, në përputhje me kushtetutshmërinë dhe është dashur të merret edhe më herët por duhet të bashkëbisedojë me partnerë ndërkombëtarë me qëllim të sqarimit të fazave të impelementimit të këtij vendimi. Ndoshta duhet të jepet edhe pak kohë komunitetit serb deri në fillimin e impelemntimit të këtij vendimi”, tha më tej z. Shkodra.
Banka Qendrore e Kosovës urdhëron që nga 1 shkurti në tërë territorin e vendit të përdoret si mjet pagese euroja. (A2 Televizion)