“Do të ketë probleme në shkolla e spitale”, BE shqetësohet më shumë për dinarin se sa për Banjskën?

Nga Xhevahir Qardaku
2 Shkurt 2024, 18:57 | Aktualitet

“Do të ketë probleme në shkolla e spitale”, BE

Një ofensivë e tillë diplomatike nuk ishte parë as pas sulmit terrorist të Banjskës nga serbët, ku u vra një polic i Kosovës. Bashkimi Europian ka shtuar thirrjet ndaj Prishtinës që të ndalojë zbatimin e rregullores për ndalimin e transanksioneve dhe pagesave në dinarin serb në zonat me shumicë serbe në territorin e Republikës së Kosovës. Komisioneri për zgjerimin dhe fqinjësinë e mirë, Oliver Varhelyi, shkruan në X, se shqetësimi i Brukselit lidhet me ndikimin në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe të komuniteteve të tjera.

“Komisioni Europian është veçanërisht i shqetësuar lidhur me ndikimin në shkolla dhe spitale, duke marrë parasysh mungesën e alternativave në këtë moment. Mbështesim deklaratën e përfaqësuesit të lartë dhe mbajmë shënime për vendimin e Bankës Qendrore për të lejuar një periudhë tranzicioni. Komisioni i bën thirrje Kosovës që të sigurojë që kjo periudhë tranzicioni të jetë mjaftueshëm gjatë sa për të negociuar një zgjedhje brenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE”, tha Oliver Varhelyi, komisioner i BE për zgjerimin.

Të njëjtin mesazh e përsëriti me zë dhe figurë, zëdhënësi kryesor i Komisionit Europian, Eric Mamer.

“Komisioni Europian shpreh keqardhje për faktin se ky vendim është miratuar pa asnjë konsultim paraprak, duke marrë parasysh pasojat që ky vendim mund të sjellë në jetët e përditshme të serbëve të Kosovës”, tha Eric Mamer, zëdhënës i Komisionit Europian.

Më herët, Departamenti Amerikan i Shtetit shprehu zhgënjim të madh ndaj Kosovës për vazhdimin e zbatimit të vendimit lidhur me dinarin serb. Në përgjigje për Zërin e Amerikës, DASH shpreh kundërshti për planet dhe kërkon shtyrjen e tyre deri në edukimin e popullatës për këtë praktikë të re. Vlen të theksohet fakti se nuk ka asnjë masë ndëshkuese ndaj Serbisë, as për rrëmbimin e 3 policëve të Kosovës dhe as për sulmin në Banjskë, ndërsa organizatori, Milan Radojçiç, vijon të jetë i lirë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos