Qëndrueshmëria kombëtare, Kosova duhet të jetë gati “për atë që s’ia merr mendja”

Nga A2 CNN
30 Janar 2025, 20:07 | Aktualitet

Kosova mbetet e përkushtuar në forcimin e kapaciteteve të sigurisë që do t’i bëjnë ballë sfidave aktuale.

Në një konferencë të organizuar nga Ministria e Mbrojtjes, presidentja Vjosa Osmani tha se qëndrueshmëria kombëtare nuk është vetëm një koncept teorik, por është themeli mbi të cilin ndërtohet siguria, zhvillimi dhe e ardhmja e shtetit të Kosovës.

“Në një kohë kur kërcënimet ndaj sigurisë janë më komplekse se kurrë, nga luftërat konvencionale tek sulmet hibride dhe sfidat kibernetike, Kosova duhet të jetë e gatshme për sfidat me të cilat ballafaqohemi sot dhe për ato të së ardhmes. Na duhet një arkitekturë sigurie që është invoative, fleksibile dhe e përgatitur për t’u përballur me secilin skenar”, tha presidentja Osmani.

Kryeministri Albin Kurti tha se për t’iu përgjigjur sfidave të kohës kërkohet kombinimi i vendosmërisë dhe unitetit, ndërsa theksoi investimet në siguri.

“Bëhemi gati për atë që na e merr mendja por duhet të bëhemi gati edhe për atë që tash për tash nuk na e merr mendja. Për më tepër kemi nisur reforma të thella në sektorin e mbrojtjes dhe të sigurisë nëpërmjet blerjeve të qëndrueshme ushtarake, kemi rritur jo vetëm gatishmërinë tonë për të mbrojtur integritetin dhe sigurinë e vendit por edhe aftësinë për të parandaluar dhe rimëkëmbur nga çdo goditje”, u shpreh kryeministri Kurti.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se konferenca e organizuar synon forcimin e bashkëpunimit, dhe ndarjen e praktikave më të mira të cilat do ta përmirësojnë e pasurojnë qëndrueshmërinë kombëtare.

“Në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur e më të ndërlikuar, qëndrueshmëria s’është më një opsion, por domosdoshmëri. Qëndrueshmëria përkufizohet jo vetëm si aftësia për t’u përballur me tronditjet dhe kërcënimet, por mbi të gjitha si një kapacitet për të ruajtur funksionet jetike të shoqërisë, për të mbrojtur vlerat tona dhe për të siguruar që e ardhmja ndërtohet mbi themelet e forta”, tha ministri Maqedonci.

Përmes paneleve të ndryshme, gjatë ditës së enjte kontribuan institucione zyrtare të cilat shpalosën përgatitjet e tyre për qëndrueshmërinë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos