Rusia akuzon Perëndimin, Lavrov: OKB duhet reformuar, Amerika pavarësoi Kosovën

Nga A2 CNN
16 Shkurt 2024, 20:31 | Aktualitet

Rusia vazhdon që ta mbajë vëmendjen e saj në Kosovë. Ministri i jashtëm, Sergey Lavrov, përsëri e përdori shpalljen e pavarësisë për të sulmuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke pretenduar se kjo gjë shkeli kartën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Kryediplomati rus sërish kërkoi një reformim të këtij institucioni të rëndësishëm për botën.

“Konceptualisht - ne jemi të bindur se Karta e OKB-së përmban të gjitha parimet e nevojshme të respektit që do të garantojnë paqen dhe sigurinë. Unë kam folur për këtë shumë herë më parë. Amerikanët kur kanë nevojë për diçka, ata shikojnë se në cilat parime të kartës t'i bazojnë veprimet e tyre. Pra, kur është dashur të shpallet një referendum i njëanshëm për pavarësinë e Kosovës, kanë thënë se është bazuar në parimin e vetëvendosjes së popullit, që është në Kartën e OKB-së”, tha Lavrov.

Ministri i jashtëm rus tentoi të krahasonte rastin e Kosovës me atë të Krimesë, duke thënë se Perëndimi nuk pranoi rezultatin e referendumit të mbajtur për shkëputjen e gadishullit nga Ukraina.

“Ata nuk e pranuan, madje e dënuan dhe thanë se shkel parimet e integritetit territorial”, shtoi Lavrov.

Bashkimi Europian, Amerika dhe NATO kanë shprehur vazhdimisht shqetësimin e tyre për tentativat e vazhdueshme të Rusisë për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor. Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë dhe veriu i Kosovës janë përcaktuar si zona me rrezikshmëri të lartë, ku tregohet shumë kujdes për të mos lejuar shpërthimin e ndonjë krize të rrezikshme apo konflikti.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos