Si po e prekin Kosovën masat e BE? Reuters: Franca e Hungaria kundërshtojnë heqjen e tyre

Nga A2 CNN
6 Shkurt 2025, 21:18 | Aktualitet

Banorët që jetojnë pranë një sistemi kanalesh të mbushur me mbeturina dhe ujëra të zeza në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, kishin shpresuar se financimet nga Bashkimi Evropian do të ndihmonin në pastrimin e lagjeve të tyre.

BE kishte premtuar 70 milionë euro për të ndërtuar impiantin e parë të trajtimit të ujërave të zeza për të pastruar kanalin, por plani ka mbetur pezull, sipas autoriteteve lokale, përcjell A2.

Ky ishte mes më shumë se 12 projekteve prej 150 milionë eurosh që janë pezulluar sipas dy burimeve të cituara nga agjencia e lajmeve Reuters, përfshirë një diplomat i lartë që flet në kushte anonimiteti. Në reportazh, Reuters përmend gjithashtu rastin e kinemasë Lumbardhi, në qytetin e Prizrenit, që siç thotë u ka ofruar vendasve një dritare me botën jashtë për dekada, e ka mirëpritur artistë ndërkombëtarë për festivalin vjetor të filmave dokumentarë. Por, ambienti i prekur nga problemet financiare mbështetej në një fond prej 1,5 milionë eurosh për rinovime, që më 7 tetor u pezullua. 

Fondet e BE u ndërprenë në vitin 2023, si pjesë e masave të bllokut për veprimet e kryeministrit Albin Kurti në veri. Çështja është rishfaqur teksa Kosova përgatitet për zgjedhjet e 9 shkurtit, me një pjesë të qytetarëve që janë të shqetësuar se një vazhdimësi e politikave të Kurtit në veri, mund të izolojë Kosovën ndërkombëtarisht, shkruan Reuters.  

Agjencia citon një tjetër zyrtar të njohur mbi çështjen të thotë se disa shtete po kërkojnë që masat të hiqen, pasi sipas tyre nuk kanë ndikuar tek politikat e Kurtit dhe kanë dëmtuar qytetarët e thjeshtë. Por, siç pohon, vendet mike të Serbisë si Franca dhe Hungaria po e kundërshtojnë diçka të tillë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos