Tha se do të bojkotojë disa televizione, Asociacioni i Gazetarëve: Vetëvendosje po minon rolin e mediave

Nga A2 CNN
9 Janar 2025, 20:11 | Aktualitet

Tha se do të bojkotojë disa televizione, Asociacioni i

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës reagoi lidhur me paralajmërimin e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje , se do të bojkotojë disa nga televizionet në Kosovë. Sipas asociacionit dicka e tillë shkon kundër transparencës dhe është përpjekje për të “minuar rolin e gazetarëve dhe mediave” për ta mbajtur përgjegjëse “për politikat e saj”. Në deklaratë, AGK shpreh shqetësimin mbi zhvillimet që lidhjen me nisjen e fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

“E ftojmë Lëvizjen Vetëvendosje që të rishqyrtojë pozicionin e saj dhe t’u ofrojë mediave qasje të barabartë në fushatë”, tha AGK-ja në reagim.

Ajo kërkoi që mediave t’iu mundësohet që në mënyrë të barabartë të paraqesin programet e të gjitha subjekteve që marrin pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Bojkoti i paralajmëruar paraqet goditje të qëllimshme ndaj mediave dhe është vazhdimësi e një sërë veprimesh të kësaj qeverie dhe të Lëvizjes Vetëvendosje të drejtuara kundër gazetarëve e mediave në Kosovë”, theksoi AGK-ja.

Shoqëria civile edhe më herët ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, për qasjen ndaj mediave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos