Çfarë i shqetëson serbët? Punonjësit e strukturave paralele frikë se nuk do të paguhen

Nga A2 CNN
12 Shkurt 2024, 20:15 | Ekonomi


Ndalimi i qarkullimit të dinarit dhe kalimi i parave vetëm nëpërmjet rrugëve ligjore ka ngritur shqetësimin se punonjësit e strukturave paralele nuk do të mund të marrin pagat e tyre që paguhen nga Serbia. Strukturat paralele serbe, që Prishtina zyrtare i konsideron të jashtëligjshme, sfidojnë dhe kërcënojnë shtetin e Kosovës.

Analistë dhe politikanë serbë që jetojnë në Kosovë thonë se vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e qarkullimit të dinarit serb i zuri në befasi të gjithë në veri.

Sipas tyre, shqetësim mbeten si do t’i marrin pagat punëtorët që punojnë në strukturat paralele, që shteti i Kosovës i konsideron të jashtëligjshme.

“Ky vendim i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës ka qenë i papritur, njerëzit në veri nuk kanë qenë të përgatitur për këtë më duket se kryeministri (Albin Kurti) e ka befasuar me këtë vendim edhe Beogradin zyrtar”, shprehet analisti Branisllav Kërstiç.

Doktorë e mësimdhënës si dhe njerëz që angazhohen në ofrimin e shërbimeve sipas modelit të Serbisë, që ndryshe njihen si struktura paralele, thonë se nuk do të mund t’i marrin pagat nga shteti serb.

“Nëse Kosova i konsideron ato të paligjshme atëherë individët dhe personat juridikë nuk mund të hapin llogari bankare, prandaj kemi propozuar që të krijohet një fond i Bashkimit Evropian derisa të kemi Asociacionin e komunave me shumicë serbe për t’i menaxhuar këto para”, deklaroi politikani serb Aleksandër Arsenijeviç.

“Shqetësimi erdhi në atë drejtim që spitali në veri të vendit, që fakulteti, shkolla e mesme dhe ajo fillore nuk janë të regjistruara në shtetin e Kosovës dhe problemi vjen te doktori, te profesori, i cili merr rrogën nga buxheti i Serbisë a do të ketë problem në të ardhmen për pagesën për të cilën ata kanë punuar”, shtoi Kërstiç.

Serbia ishte pajtuar më 2013 që të shuante strukturat paralele përmes një marrëveshjeje në Bruksel, por kjo nuk ka ndodhur.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli