Rreth 400 ndërtesa publike në Kosovë do të rinovohen deri në vitin 2031 sipas parimeve të efiçencës së energjisë. Kjo vjen pas nënshkrimit të marrëveshjes mes Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Vlera e projektet shkon në 86 milionë euro.
“Kjo marrëveshje përforcohet dhe shumëfishohet edhe më tej me grante dhe mbështetje shtesë të siguruar nga institucionet të tjera partnere, siç janë BE-ja apo edhe Qeveria e Danimarkës. Ky hap ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve për qytetarët që shfrytëzojnë shërbimet nga ky investim. Ideja është që të bëhet një investim me rreth 400 ndërtesa publike në mënyrë që ato të izolohen dhe të rriten masat e efiçencës në to. Vlera totale e projektit është 86 milionë euro”, tha ministri i Financave, Hekuran Murati.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se projekti do të ndikojë në uljen e konsumit të energjisë.
“Kosova konsumon sot mesatarisht katër herë më shumë për një njësi të bruto-produktit vendor të prodhuar në krahasim me mesataren e BE-së. Në kuadër të këtij konsumi enorm, stoku i ndërtesave konsumon mbi 40 për qind të totalit të energjisë që konsumohet në vend. Kjo e vë në perspektiv se sa e rëndësishme është që ndërtesat tona të jenë të izoluara mirë dhe të kenë masat e efiçencës në mënyrë që konsumi i gjithmbarshëm në vend të ulët dhe të lehtësojë edhe sistemin tonë elektro-energjetik”, tha ajo.
Drejtori menaxhues i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Driton Hetemi, tha se po punojnë që shpërndarja e rinovimit të ndërtesave publike të bëhet sipas numrit të popullsisë.
Në anën tjetër, drejtori i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Kosovën, Sergiy Maslichenko, tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshje dëshmon partneritetin e fortë mes BERZh-it dhe Kosovës.
(A2 Televizion)