“Hapësirat janë të kufizuara”, Çejku: Shqipëria, tentativa informale për ta zhvendosur Specialen në Kosovë

Nga A2 CNN
29 Nëntor 2023, 22:36 | Kosova

“Hapësirat janë të kufizuara”, Çejku:

Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që mbahen në paraburgim në Hagë, janë izoluar së fundmi nga Gjykata e Hagës.

Atyre u janë ndaluar vizita dhe telefonatat me familjarë dhe bashkëpunëtorë. Kërkesa erdhi nga prokuroria, sipas së cilës, ish krerët UÇK-së kanë zbuluar detaje të dëshmitarëve për vizitorët.

Por, sa janë shpresat për bërë drejtësi në procesin që po bëhet ndaj tyre në Hagë? I ftuar në “Debat” nga Alba Alishani, ish-ambasadori Arben Çejku theksoi se nëse procesi do të rezultonte me dënime, nuk do të ishte mirë për shtetin e Kosovës.

“Korniza ligjore nuk zhbëhet më. Mekanizmat për ta ndryshuar janë të pakët. Sido që të jetë, nuk do të kemi vendim politik, jemi të detyruar të presim një vendim juridik.”

Ndërsa, duke u ndalur te roli i Shqipërisë, diplomati u shpreh se vendi ynë i ka hapësirat e kufizuara. Megjithatë, ai theksoi se përpjekje janë bërë.

“Informalisht, kam dijeni, janë bërë përpjekje me vende mike, që të shihet buxheti i kësaj gjykate. Ndoshta edhe për ta zhvendosur këtë gjykatë në Kosovë.  Në tërësi politikanët e Shqipërisë, pa dallim majtas apo djathtas, nuk ndihen mirë që shohin vëllezërit e tyre në këtë proces special.”

Sipas Çejkut, ata që mund të ndërhynë janë ata që e mbështetin financiarisht gjykatën, duke tërhequr financimet.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos