Tymuese e gaz lotsjellës: Protesta e PSD-së në Kosovë, kundër Gjykatës Speciale apo Kurtit?

Nga A2 CNN
29 Nëntor 2023, 21:13 | Kosova

Me tymuese dhe mjete shpërthyese është pritur ditën e sotme kryetarja e Dhomave të Specializuara, gjykatësja Ekaterina Trendafilova në Kosovë. Protesta u mbajt në Prishtinë nga aktivistët e Partisë Social Demokrate.

Megjithatë, për disa nga të ftuarit në puntatën e sotme të “Debat” nga Alba Alishani, protesta ishte në fakt kundër kryeministrit Albin Kurti më shumë sesa kundër Gjykatës Speciale, e cila po gjykon në Hagë ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gazetarja Esmeralda Mulaj kujtoi se ish-komandatët e UÇK-së ndodhen prej dy vitesh tashmë në pranga, dhe nuk kemi parë ndonjë reagim.

“Nuk e kuptoj momentin. Nëse duan të bëjnë diçka ta bëjnë në Hagë, duket me shumë si një protestë ndaj Albin Kurtit. Nëse do të ishte kundër gjykatës ka mënyrë të tjera për të treguar se prokuroria po vepron gabim.”

Ndërsa, diplomati Arben Çejku theksoi protesta në thelb dukej sikur ishte edhe kundër Kurtit edhe kundër Gjykatës, por shtoi se kreu i qeverisë nuk ka asgjë në dorë.

Për të, protesta u bë nga një zgjatim i LVV, nga personalitete që situatën e atyre që po gjykohen në Hagë, po kërkojnë ta përdorin në interesin e tyre.

“Çdo përpjekje për të përfituar nga ata që po gjykohen është e dhimbshme. Mekanizmi, i vetëm që duhet përdorur është Parlamenti i Kosovës,” shtoi ai duke kujtuar se kur ishte koha, Kurti votoi kundër krijimit të kësaj gjykate dhe rrjedhimisht, duart i ka të lara. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos