Diplomati Agim Nesho teksa komentoi në “Debat” në A2CNN protestën e sotme në Prishtinë kundër kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, rezervoi ndër të tjera edhe kritika për rolin që ka luajtur në “tragjedi”, siç e cilësoi ai, qeveria e Tiranës.
Nesho duke iu referuar indirekt kryeministrit Edi Rama, tha se nuk mund të jesh vëlla me Presidentin serb Aleksandër Vuçiç pa i kërkuar më parë atij llogari për atë që po ndodh me figurat historike të UÇK-së dhe Kosovës.
“Unë dyshoj se ky regjim që është në Shqipëri ka marrë pjesë në të gjithë këtë tragjedi, pavarësisht se një ditë historia do ta tregojë. Nuk mund të jesh mik dhe të bësh projekte politike, të ulesh me vëllain tënd Vuçiçin pa i kërkuar llogari se çfarë bën ti për figurat historike të Kosovës. Nuk ishte vetëm Thaçi. Thaçi e pranuan në projekt dhe në një moment kur nuk i duhej e hodhën në zara për t’i bërë qejfin Vuçiç. Për mua Kurti ka krijuar një personalitet që di edhe të rezistojë kur është për t’u rezistuar dhe kjo është për tu respektuar. Ka treguar që është person me integritet. Nuk mund të sulmohet dhe këtë e ka gabim politika në Kosovë, që i kujtojnë ça ke bërë 20 vjet më përpara. Loja politike është e tillë, ai gjykohet për aktet që ka marrë përsipër dhe është votëbesuar nga populli i Kosovës dhe deri tani lojën e ka luajtur shumë mirë.” (A2 Televizion)