Sulmohet banesa e ish-kreut të Komunës së Zubin Potokut

Nga A2 CNN
3 Tetor 2024, 12:15 | Kronikë

Sulmohet banesa e ish-kreut të Komunës së Zubin Potokut

Një objekt banimi, në ndërtim e sipër, pronë e ish-kryetarit të Komunës së Zubin Potokut, Stevan Vulloviq, është sulmuar pas mesnatës.

Kështu tha kreu aktual i kësaj komune, Izmir Zeqiri, i cili e dënoi shpërthimin që ndodhi pak pas mesnatës.

Zeqiri u shpreh se dyshon se sulmi ndaj objektit të Vulloviqit ndodhi pasi ai ishte takuar me të në një kafene në Zubin Potok disa ditë më parë.

“Ka qenë shumë takim shoqëror, takim i rastit. Kemi pirë nga një kafe, kemi biseduar si ish-kryetar që ka qenë. Kemi biseduar natyrisht edhe për interesin qytetar”, tha Zeqiri.

Stevan Vulloviq ishte kryetar i Zubin Potokut nga Lista Serbe nga viti 2013 deri më 2018, kur dha dorëheqje së bashku me kryetarët e tjerë të komunave në veri të Kosovës, pasi Qeveria e Kosovës, që udhëhiqej nga Ramush Haradinaj, vendosi taksën prej 100 për qind ndaj importeve të mallrave nga Serbia.

Në atë kohë, ai kishte deklaruar se ishte jashtëzakonisht i lumtur që kishte dhënë dorëheqje sepse “e kam bartur barrën e të qenët kryetar i institucioneve të Kosovës”.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se policia doli në vendin e ngjarjes pas shpërthimit. Ai tha se në objektin banesor, që është në ndërtim e sipër, shpërtheu zjarr, duke shtuar se nga kjo ngjarje nuk ka të lënduar.

Policia e Kosovës tha se ende nuk e di shkakun e këtij shpërthimi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos