Reperi i njohur Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit “Stresi” do të qëndrojë pas hekurave për 48 orët e ardhshme deri në një vendim të dytë nga drejtësia kosovarë.
Prokuroria e Pejës ka vendosur këtë masë sigurie për reperin, e cila u bë e ditur për median kosovare “Telegrafi” nga zëdhënësi i policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Driton Rugova, shkruan A2.
“Me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje për 48 orë”, deklaroi Rugova.
Kujtojmë se Stresi u vetëdorëzua në policinë e Pejës mëngjesin e sotëm. Ai u paraqit në Komisariat së bashku me avokatin e tij dhe u morr në pyetje për më shumë se dy orë, përcjell A2.
Prej muajit gusht Arkimed Lushaj rezultonte person në kërkim nga autoritetet kosovare. Reperi akuzohet si bashkëpunëtor i këngëtarit Rigels Rajku (Noizy) dhe DJ të këtij të fundit, Bahtjar Bajraktari (Dj Crax), në dhunimin e Muhamet Isenit (personazh i njohur në Tik Tok si Medi) në një klub nate në Pejë. (A2 Televizion)