Kufizimi i dinarit, Varhelyi: Duhej të ishte konsultuar, Kosova të sigurohet që koha e tranzicionit të jetë e mjaftueshme

Nga A2 CNN
2 Shkurt 2024, 14:45 | Kosova

Komisioni Europian është i keqardhur që Kosova vendosi të kufizojë qarkullimin e dinarit serb në territorin e saj pa, u konsultuar paraprakisht. Është ky reagimi i komisionerit europian për fqinjësinë dhe zgjerimin, Olivér Várhelyi.

Në një deklaratë në platformën "X", Várhelyi shprehet se Banka Qendrore e Kosovës duhej ta kishte konsultuar vendimin, duke marrë parasysh impaktin që vendimi mund të ketë në përditshmërinë e qytetarëve serbë të Kosovës, dhe komuniteteve të tjera.

“KE është veçanërisht i shqetësuar për impaktin që do të ketë në shkolla dhe spitale duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment.”

Përballë kësaj situate, KE-ja kërkon nga Kosova që të sigurohet që periudha e tranzicionit të jetë e gjatë mjaftueshme derisa të gjendet një zgjidhje brenda kornizave të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Vendimi që hyri ne fuqi me 1 shkurt nënkupton heqjen nga përdorimi të dinarit të Serbisë, që ende përdoret në zonat e banuara me shumicë serbe posaçërisht në veriun e Kosovës.

Rregullorja ka nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit dhe përfaqësuesve politikë të serbëve në Kosovë, të cilët vlerësojnë se ky vendim rrezikon mbijetesën e komunitetit serb por edhe shqetësimet e diplomatëve perëndimorë se ajo mund të nxisë tensione të reja.

Qeveria e Kosovës tha të mërkurën se zbatimi i rregullores do të bëhet përmes një periudhe tranzicioni të lehtësuar, por pa dhënë hollësi për afatin kohor.

Olivér Várhelyi në "X"

A2 CNN Livestream

Dita jonë