Nominimi për Nobelin e Paqes, Rushiti: Vlerësim për Kosovën

Nga Ideal Gola
17 Janar 2025, 20:09 | Kulturë

Feride Rushiti ishte vetëm një doktoreshë e re kur nisi mbështetjen për ata që kishin pësuar gjatë luftës kur i ndihmonte të dëbuarit në Kukës. Më pas, ndihma e saj u përqendrua me shumë tek viktimat e dhunës seksuale, si një nga krimet më të rënda që ndodhi në luftën e Kosovës.

Puna e saj dhe organizatës që drejton Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës u vlerësua me nominim për çmimin e Nobelit të Paqes për vitin 2025. Në një paraqitje para mediave, Feride Rushiti e cilësoi këtë nominim si vlerësim që i bëhet të gjithë shtetit të Kosovës.

“Mendoj që është një vlerësim jo vetëm për ne si organizatë për punën dhe kontributin tonë tashmë 25-vjeçar në kauzën e të mbijetuarve të dhunës seksuale por edhe dhunën e bazuar në gjini, parandalimin e torturës, por është një vlerësim për Kosovën që i bëhet me këtë nominim”, tha drejtoresha e QKRMT, Feride Rushiti.

Deputeti suedez, Magnus Jacobsson, ishte ai që bëri nomiminin që për Rushitin ishte i papritur. Ajo tha se me deputetin ishte takuar vetëm një herë shumë kohë më parë kur kishte prezantuar punën e organizatës.

Jacobsson, në letrën dërguar Komitetit të Institutit norvegjez të Nobelit, shkruan se ka nominuar Rushitin dhe organizatën e saj për kontributin e jashtëzakonshëm në avancimin e të drejtave të njeriut, dinjitetit të të mbijetuarve dhe shërimit të plagëve të luftës të komuniteteve.

Rushiti shpreson që ky nominim të nxisë edhe viktimat e tjera të dhunës seksuale në Kosovë që të tregojnë për krimet që kanë përjetuar dhe të kërkojnë drejtësi.

“Ky nominim do të motivojë, edhe gratë, edhe burrat që ende janë të pazëshëm dhe nuk e kanë guximin të flasin apo të kërkojnë shërbimet që i takojnë”, u shpreh Rushiti.

Rushiti tha se nuk do të habitej në rast se Serbia lobon kundër nominimit të saj, ndërsa kërkoi mbështetjen e institucioneve pasi vlerësoi se më e rëndësishme është kauza që përfaqësojnë.

Në Kosovë llogariten se gjatë luftës janë përdhunuar rreth 20 mijë gra e burra, por që zyrtarisht nga shifra e regjistruar figurojnë më pak për shkak të ngurrimit të viktimave për të treguar.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos