Osmani: Masat e BE-së ndaj Kosovës po krijojnë disbalancë në dialog

Nga A2 CNN
12 Janar 2024, 22:41 | Kosova

Osmani: Masat e BE-së ndaj Kosovës po krijojnë disbalancë

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani gjatë një takimi sot me raportuesen e Parlamentit Evropian, Viola von Cramon, deklaroi se Bashkimi Evropian duhet të heqë masat ndëshkuese.

Kjo pasi, sipas saj, ato janë të padrejta dhe si të tilla po krijojnë disbalancë në pozicionimin e palëve në procesin e dialogut.

Kryetarja e shtetit tha se Kosova mbetet palë e përkushtuar për zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura me Serbinë në procesin negociues të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Në takim, siç raportohet,  u diskutua për zhvillimet më të fundit në vend me fokus të veçantë në fushën e sigurisë, si dhe punën e institucioneve vendore në rrugëtimin e integrimeve evropiane.

Osmani foli edhe për rëndësinë që BE-ja të lëvizë përpara në raport me Kosovën përmes dhënies së statusit të vendi kandidat.

Në takim u diskutua për faktin që 2024-ta do të jetë një vit elektoral në nivel të Bashkimit Evropian, me ç’rast u fol mbi implikimet potenciale të rezultateve të këtyre zgjedhjeve në Kosovë, rajon dhe më gjerë.

Kujtojmë se BE vendosi vitin e kaluar masat ndëshkuese ndaj qeverisë së Kosovës, për shkak të mos ndërmarrjes së masave për uljen e tensioneve në veri.

BE ka pezulluar përkohësisht punën në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim dhe Kosova po ashtu nuk do të ftohet në takimet e nivelit të lartë, përveç atyre të fokusuara për diskutimin e krizës në veri në kuadër të dialogut.

Tensionet në veri nisën më 26 maj 2023, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave me shumicë serbe, nën përcjelljen e policisë hynë në ndërtesat komunale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos