Partia Demokratike e Kosovës i ka dhënë fund koalicionit qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës në Komunën e Prishtinës.
Vendimi erdhi menjëherë pas mbledhjes së Asamblesë komunale të kryeqytetit kur PDK mundësoi kuorumin dhe voto “pro” shfuqizimit të vendimit për shkëmbimin e disa pronave komunale në Badoc.
Pak ditë më parë, kryetari Përparim Rama kishte liruar nga detyra nënkryetaren Donjeta Sahatçiu si dhe drejtorin për Shërbime Publike, Ilirik Musliu, që të dy nga radhët e PDK-së, pasi partia e Memli Krasniqit doli hapur kundër vendimi të Ramës për pronat. Megjithatë shkarkimet Rama tha se u bënë për performancë të dobët.
Gjatë ditës së sotme kanë dhënë dorëheqje të gjithë drejtorët e tjerë të PDK-së si dhe aksionarët në ndërmarrjet publike nga kjo parti.
“Ne nuk do të jemi pjesë e një qeverisjeje që dëmton interesin publik, ku mungon komunikimi, ku puna e mirë nuk vlerësohet dhe meritokracia përbuzet. Duke mos dashur asnjëherë që Prishtina të bllokohet, jemi tërhequr nga të gjitha pozitat për të hapur rrugë për krijimin e një shumice të re në kryeqytet”, tha nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili.
Në dhjetor 2023, Kuvendi Komunal në Prishtinë mori vendim për këmbim të pronave në Badovc me prona në lagjen “Prishtina e Re”, një këmbim që dëmtonte interesin publik për shkak të vlerës së pronës.
PDK edhe atëherë e kishte bojkotuar seancën e votimit, por mbledhja ishte e vlefshme pasi kuorumi ishte siguruar nga Lëvizja Vetëvendosje, që sot bashkë me PDK votuan për anulim të atij vendimi.
Përparim Rama ka filluar të emërojë njerëz të LDK-së për pozitat vakante në kabinetin e tij qeverisës. Me LVV dhe PDK në opozitë, kryetari i LDK-së nuk e ka më shumicën në Asamblenë komunale. (A2 Televizion)