Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e quajti konstruktiv takimin me liderin e PDK, Bedri Hamza, por tha se nuk u arrit ndonjë marrëveshje për formimin e qeverisë.
Kurti shtoi se institucionet e reja duhet të krijohen në përputhje me vullnetin qytetar të 7 qershorit, ndërsa e bëri të qartë se përgjegjësia për zgjedhjen e një figure konsensuale për president u takon të gjitha partive politike.
Kurti: President duhet të jetë një figurë konsensuale me vlera të dëshmuara kombëtare e profesionale
“Nëse unë si fitues i zgjedhjeve kam përgjegjësinë për formimin e qeverisë, zgjedhja e presidentit nuk është përgjegjësi vetëm e partisë fituese. Zgjedhja e presidentit është menduar të ndodhë në një bashkëpunim me të tjerët. Prandaj ne në pikënisje do të kishim një figurë konsensuale. Dikush që nuk është i asnjë partie politike dhe dikush që është përtej polemikave të skenës aktuale. Dikush që ka vlera të dëshmuara kombëtare, profesionale dhe qytetare. Në këtë mënyrë të jetë shprehje e unitetit ashtu siç e kërkon Kushtetuta.”
Kurti sërish theksoi nevojën që të arrihet një pajtim i gjerë për presidentin, me një mbështetje prej 84-85 deputetësh, ndërsa kritikoi qëndrimin e kreut të AAK-së, që refuzoi një takim me të.
Kurti përsërit nevojën që për president të ketë siguri prej 84-85 deputetëve
“Prandaj, siç e kemi thënë më herët, është e nevojshme t’i kemi 84-85 që të jemi të sigurt në rrugën përpara, njësoj vlen edhe tani... Unë kur i mblodha numrat e deputetëve, 53, plus 22, plus 18, nuk thashë edhe plus shtatë pasi kryetari i Aleancës nuk e ka konsideruar të arsyeshme dhe të nevojshme që të takohet me mua. Unë besoj se është e rëndësishme që të takohet me mua pasi LVV-ja është fituese e zgjedhjeve.”
Ndërkohë, pas takimit me kryeministrin në detyrë, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, konfirmoi se partia e tij do të qëndrojë në opozitë.
Hamza: PDK-ja do të qëndrojë në opozitë, i urojmë suksese Kurtit me partitë e tjera
“Bazuar në bisedat që kemi pasur dhe diskutimet, normalisht korrekte, qëndrimi ynë është se PDK-ja për këtë mandat është parti në opozitë. Ne i dëshirojmë sukses zotëri Kurti dhe të gjithë atyre që takohen, bisedojnë që t’i japin vendit institucione, duke përfshirë të gjitha institucionet.”
I pyetur se si do të veprojnë në zgjedhjen e presidentit, Hamza tha se përgjegjësia kryesore për formimin e institucioneve i takon LVV-së si partia me numrin më të madh të ulëseve në Kuvend. (A2 Televizion)