Dosja “Revanshi” GJKKO dënon 5 të pandehur me 31 vite e 4 muaj burg

Nga Armand Bajrami
10 Korrik 2026, 15:14 | Kronikë

Gjykata e Posaçme ka shpallur vendimin për një fraksion të dosjes ‘Revanshi’ duke dënuar me burg 5 anëtarë të grupit kriminal. Për Adrian Piklin, ish-efektiv i forcave speciale RENEA dhe Devis Bajramaj, dënimi i 10 viteve burg u reduktua në 6.8 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Të dy akuzohen se janë përfshirë në tregtinë e paligjshme të armëve.

Elvis Ndreca, djali i xhaxhait të ish-deputetit socialist Eduard Ndreca dhe Edison Muçeku u dënuan secili me 5.4 vite burg. Armando Ndreca, vëllai i ish-deputetit Ndreca, u dënua me 7.4 vite. Sipas SPAK, në tetor 2020 Armando Ndreca ka organizuar dhe financuar grupin që prodhoi dhe shiti 243 kilogramë kanabis në Lezhë.

Sipas hetimeve, në periudhën maj-korrik 2020, Albert Zaja dhe Edison Muçeku kanë siguruar mjetet për vrasjen e Hamza Terziut. Ndërsa gjatë muajve korrik-gusht 2020, edhe Elvis Ndreca ka siguruar mjetet për vrasjen e Durim Bamit.

Sipas dosjes së SPAK, më 4 nëntor 2020, në Urën e Tapizës në Fushë-Krujë, Albert Zaja dhe persona të tjerë kanë tentuar të vrasin me armë zjarri Durim Bamin dhe Ervin Kodrën.

Për Albert Zajën, i hetuar në të njëjtën çështje, dosja është veçuar dhe po ndiqet në një procedim të ndarë nga të pandehurit e tjerë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos