Vendimi i Qeverisë për të rritur pagat fillimisht nga janari i vitit të ardhshëm e më pas nga korriku ka ngjallur debate në Kosovë. Për partitë opozitare kjo është një përpjekje për të blerë votat, pasi rrogat me rritje do të dalin vetëm disa ditë para mbajtjes së zgjedhjeve dhe në kulmin e fushatës zgjedhore.
Një tjetër shqetësim është edhe vendimi që për rritjen e pagave u shfrytëzua një tjetër strukturë, ai për të rritur njësinë e koeficientit dhe jo vlerën e tij që bie në kundërshtim me legjislacionin aktual.
Ferat Shala, deputet i PDK, u shpreh: “Këtu kemi dilemën e parë juridike sepse kemi shkelje të ligjit në planifikimin e qeverisë dhe në vendimin e qeverisë pastaj nuk e kemi këtë arsye pse duhet ndahet rritja e pagave në dy kategori në një para zgjedhjeve gjatë fushatës elektorale dhe një pas rezultatit të zgjedhjeve”.
Besian Mustafa, deputet i LDK, theksoi: “Në një tentim të dobët për të blerë votat e qytetarët e Kosovës nuk e pranojnë një tentim të tillë e ndanë edhe këtë kinse rritjen e tyre në dy pjesë 55 euro 9 ditë para zgjedhjeve parlamentare për të tentuar kinse të blejnë vota dhe në fund të muajit korrik dy muaj para zgjedhjeve lokale vitin e ardhshëm”.
Për të shmangur shkeljet e mundshme ligjore, Qeveria pritet që para votimit të buxhetit të ri në Kuvend të propozojë edhe ndryshimet ligjore.
Mirëpo, për dy partitë më të mëdha opozitare, PDK dhe LDK, rritja prej 110 euro në total për vitin e ardhshëm nuk është e majftueshme.
“Ne do të shohim dhe e themi publikisht që kjo rritje që është planifikuar nga qeveria nuk është meritore, nuk është në proporcion as me inflacionin, as me rritjen e tatimit në pronë dhe me asgjë tjetër që është realisht duke u zhvillur në vendin tonë, pra jemi kundër kësaj rritje në këtë përmasë dhe duhet të kemi rritje meritore për të gjithë ata që janë përfitues”, deklaron Shala.
Mustafa shton: “Nuk ka rritje të pagave nëse e krahason me inflacionin në këto katër vite qeverie ku tek shporta bazike e një familjeje mesatare kosovare arrin mbi 100% të rritjes së çmimeve në këto katër vite, një rritje prej 55 euro në muaj nuk mbulon as pjesërisht këtë inflacion, pra nuk ka rritje e as barazim me inflacionin”.
Si Partia Demokratike, ashtu edhe Lidhja Demokratike, kanë premtuar rritje më të madhe të pagave për sektorin publik nëse vijnë në pushtet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. (A2 Televizion)