Gjatë takimit të krerëve të shtetit me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe shefin e zyrës së BE-së u raportua se përfaqësuesit ndërkombëtarë i kanë kërkuar udhëheqësve që draft-statuti i Asociacionit i propozuar nga Bashkimi Evropian të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese.
Madje, kjo mund të kushtëzohet me avancimin e aplikimit të Kosovës në Këshillin Evropian, dy votime larg finalizimit. Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, Kurti tashmë ka bërë një kompromis siç ishte rasti me tokat e Manastirit të Deçanit dhe nuk do të habiteshin nëse bën hapa drejt themelimit të Asociacionit.
Rrezarta Krasniqi, deputete e LDK, shprehet për A2 CNN: “Mendoj se edhe kjo pikë do të kalojë shumë shpejt sepse Albin Kurti vetëm e ka pranuar (Asociacionin), tashmë duhet ta implementojë, të shkojë në Gjykatë Kushtetuese sepse edhe në bazë të fjalimeve të tij që thotë se herë e dërgon në Gjykatë Kushtetuese, herë do të bëjë një draft statut tjetër, nuk po kuptohet asgjë sepse dita-ditës i ndërron edhe fjalët”.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës paralajmëron kryeministrin se kompromiset në dëm të shtetit janë të paparanueshme: “Mund të them që nuk guxon që të bëjë kompromis në dëm të vendit dhe lirshëm mund ta quaj se nëse e bën këtë, atëherë Kurti duhet të ngrejë flamurin e bardhë dhe të shkojë në shtëpi”.
Edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, kishte thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është kusht për anëtarësimin e Kosovës në KiE, por kjo ishte hedhur poshtë nga autoritetet në Prishtinë. (A2 Televizion)