Bashkimi Europian nuk pranon të komentojë paralajmërimet e Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në OKB. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, theksoi se të dyja palët do të përballen me “pasoja serioze” në rrugën integruese drejt BE-së, por nuk iu përgjigj drejtpërdrejtë pyetjes mbi shkeljen që Beogradi po i bënte marrëveshjes së Ohrit.
Serbia ka thënë se do të krijojë një ekip të kryesuar nga ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, për të luftuar anëtarësimin e Kosovës, një shkelje e qartë e artikullit të 4 për moskundërshtim të anëtarësimit në organizatat e huaja.
“Nuk do të hyj në detaje se çfarë ka njoftuar Presidenti Vuçiç dhe çfarë synon të bëjë. Do të theksoj pritshmërinë e Bashkimit Europian nga të dyja palët: Pa asnjë vonesë të mëtejshme të fillojnë të zbatojnë marrëveshjen për të cilën u pajtuan më shumë se një vit më parë në Ohër. Kjo është e rëndësishme”, deklaroi Stano. (A2 Televizion)