Procesi i regjistrimit të popullsisë, Kurti takon kryetarët e komunave, ankesa për organizim të dobët

Nga A2 CNN
5 Prill 2024, 19:02 | Politikë

Pasi procesi i regjistrimit të popullsisë nisi zyrtarisht të premten, kryeministri Albin Kurti mblodhi në Prishtinë kryetarët dhe përfaqësuesit e të gjitha komunave të Kosovës për t’iu kërkuar bashkëpunim që ai të përmbyllet suksesshëm.

“Të dhënat mbi madhësinë, shpërndarjen dhe përbërjen e popullsisë, kushtet e jetesës, e nivelin e edukimit, do të na ndihmojë në orientimin e politikave dhe shërbimeve më të mira për qytetarët, neve si Qeveri, juve si Komuna dhe çdo institucioni të Republikës sonë”, u shpreh Kurti.

Kryetarët e komunave, kryesisht ata nga partitë opozitare, shprehën pakënaqësi në lidhje me numrin e ulët të regjistruesve, pagesat për anëtarët e komisioneve, dorëheqjet e regjistruesve, si dhe probleme të tjera teknike.

“Unë nuk e di a kemi të drejtë, por unë kisha thënë që ta shtyjmë edhe për 2 javë, të zgjatet me shumë procesi i regjistrimit se e kemi vështirë ta kryejmë mirë edhe ju qysh po kërkoni edhe ne qysh po duam”, tha Ramiz Lladrovci, Kryetar i Drenasit.

“Nuk e di qysh mundet një proces kaq i rëndësishëm, që mendoj se është strategji kombëtare, është interes kombëtar, të organizohet, të përgatitet kaq dobët, kaq keq, që në ditët e paratë regjistrimit, bile ende pa filluar regjistrimi të kemi kësi telashe, për mua është shqetësim”, u shpreh Lulëzim Aliu nënkryetar i Ferizajt.

Ndryshe nga kolegët e tyre, kryetarët e komunave nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk përmenden probleme të tilla. Ndërsa në disa komuna u tha se procesi do të fillojë pas disa ditësh. Serbët në veri nuk pritet t’i përgjigjen pozitivisht regjistrimit, mirëpo nga Agjencia e Statistikave të Kosovës thanë se do të jetë vetë komuniteti që do ta pësojë.

“Nuk besoj që kemi nevojë të diskutojmë për të ardhmen nëse komuniteti serb i asaj zone thotë duam të regjistrohemi pas dy-tri vitesh. Kosova ec me regjistrim të popullsisë, të gjithë komunitetet duhet të jenë së bashku kur është koha e regjistrimit”, tha Avni Kastrati i ASK.

 Në këtë regjistrim të popullsisë është përfshirë edhe pyetësori i dëmeve nga lufta 1998-1999 ku qytetarët do të deklarojnë dëmet ekonomike, shumat e pronave të shkatërruara si dhe dëmet në njerëz, familjarë të vrarë, të zhdukur, të plagosur apo të burgosur.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi