“Në fund Serbia do ta njohë pavarësinë”, Clark: Putin po përdor Beogradin për ëndrrën perandorake!

Nga Rosalba Bejdo
1 Prill 2024, 20:02 | Politikë

Intervistë me ish-komandantin e NATO-s, gjeneralin Wesley Clark

Gjeneral Clark, faleminderit shumë që pranuat intervistën. Jemi shumë të nderuar që ju kemi sot me ne.

Faleminderit. Është kënaqësi dhe nder të jem me ju.

Meqenëse pak ditë më parë u shënua 25 vjetori i bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë. Si e kujtoni atë moment sot? Mendoni ende se ishte vendimi i duhur?

Epo, unë mendoj se presidenti Sllobodan Millosheviç i Serbisë e vendosi NATO-n në një pozicion ku nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të vepronte. Dhe unë përgëzoj udhëheqjen e NATO-s dhe veçanërisht presidentin e Shteteve të Bashkuara për marrjen e vendimit për të ecur përpara me operacionin.

Rusia ka bërë përpjekje qe të çojë këtë çështje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke e përshkruar fushatën e bombardimeve si shkelje të ligjit ndërkombëtar. Sipas Moskës, fushata është përgjegjëse për kaosin aktual në Ballkan dhe veçanërisht në Kosovë. Si i përgjigjeni një deklarate të tillë?

Sipas rezolutës 11-99 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nga shtatori i vitit 1998, nën autoritetin e OKB të kapitullit të 7, duke përdorur të gjitha mjetet e nevojshme, kombet u autorizuan të parandalonin krizën e refugjatëve në Kosovë. Dhe kjo ishte një rezolutë autorizuese e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Sipas asaj rezolute, ne shkuam, unë shkova personalisht tre herë në vjeshtën e vitit 98të për të takuar zotin Millosheviç. Një herë mora me vete Sekretarin e Përgjithshëm Solana. Një herë tjetër shkova vetë. Për herë të tretë solla kryetarin e komisioni ushtarak, gjenerali Nauman, me mua në çdo mbledhje. Ne u përpoqëm ta bindnim Presidentin Milloshevic që të mos përdorë forcën, të mos sulmojë njerëzit e pafajshëm brenda Kosovës. E megjithatë, në fillim të vitit tjetër, në janar të 1999-tës ndodhi një masakër e 53 personave pranë komunitetit të Reçakut. Pas kësaj filloi faza tjetër e shqetësimeve të NATO-s. PAti një raund tjetër diplomacie. Serbia refuzoi të pajtohej. Serbia donte të vazhdonte spastrimin etnik. NATO veproi. Ishte plotësisht brenda ligjit ndërkombëtar.

Gjenerali Clark, a mendoni se në kontekstin aktual gjeopolitik, Rusia po përdor Serbinë për të destabilizuar rajonin e Ballkanit?

Po. Shikoni, Serbia ka qenë mikja më besnike e Rusisë për 150 vjet. Edhe para se komunistët  të merrnin pushtetin dhe ta bënin atë Bashkimi Sovjetik, cari po përdorte Serbinë, për të mbështetur ambiciet perandorake ruse në rajon.

Pra këto janë çështje që datojnë 150 vite me pare. Serbia duhet të kuptojë dhe të mësojë ku e ka vendin, ku është? A dëshiron të jetë në një linjë me Rusinë? Vërtet? Dëshiron të jetë një shtet i vogël vasal i perandorisë ruse dhe të nëpërkëmbet nga rusët?

Apo dëshiron të jetë pjesë e perëndimit demokratik, të rritet, të ketë investime ekonomike, të kujdeset për njerëzit e vet, të ecë përpara me ritmin e qytetërimit? Apo dëshiron të jetojë në të kaluarën? Kjo është zgjedhja që duhet të bëjë serbët.

Por përse Rusia dëshiron të destabilizojë rajonin?

E dini, për këtë duhet të shkoni tek Vladimir Putin dhe ta pyesni atë. Kjo sepse është kryesisht Vladimir Putin që jeton në një univers imagjinar ku mendon se mund ta kthejë orën e qytetërimit, ku mendon se njerëzit nuk duan të kenë lirinë, se duan të jetojnë nën zgjedhën e një Rusie perandorake. Kjo është ëndrra e zotit Putin. Dhe ai do të destabilizonte Ballkanin në përpjekjen për të mbrojtur ëndrrën perandorake të Rusisë.

Duke marrë parasysh dinamikat e fundit në rajon, tensionet në veri të Kosovës, sulmin e armatosur në Banjskë dhe armatosjen e Serbisë me ndihmën e Rusisë dhe Kinës, a mendoni se do të ketë një konflikt të ri në Ballkan? Kjo është diçka për të cilën inteligjenca juaj paralajmëroi në një raport..

Epo, mendoj se mund të ketë konflikt në Ballkan, por nuk mendoj se kjo është diçka mund ta parashikojmë saktë. Unë mendoj se prania e KFOR-it është një faktor i rëndësishëm.  Mendoj se edhe puna e mirë e ambasadorit Chris Hill në Serbi është po ashtu faktor pozitiv. Kështu që unë mendoj se ne po bëjmë atë që mundemi nga perspektiva e Shteteve të Bashkuara dhe nga perspektiva e NATO-s për tu siguruar që të mos ketë një konflikt të ri në Ballkan. Por, ju e dini, shumë varet nga ajo që ndodh në Ukrainë. Shtetet perëndimore dhe Uashingtoni duhet të intensifikojnë përpjekjet për ti dhënë Ukrainës më shumë ndihmë ushtarake dhe të ndihmojë Ukrainën të mbrohet kundër agresionit rus.

25 vjet pas fushatës së NATO-s, Kosova ende po lufton për pranim në bashkësinë ndërkombëtare dhe Serbia vazhdon të refuzojë pavarësinë. Çfarë mendoni se shkoi keq?

Epo, unë mendoj se një pjesë e madhe e rezistencës nxitet nga Rusia, e cila nuk do që ta njohë pavarësinë e Kosovës. Dhe mendoj se Rusia që po e përdor këtë çështje për të krijuar një çarje mes demokracive perëndimore.

Marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara kanë qenë gjithmonë të forta dhe thelbësore për avancimin në rrugën e integrimit. Por tani po shohim një krisje teksa qeveria Kurti refuzon të pranojë kompromise për çështje si dinari serb. Deklaratat nga Uashingtoni kanë qenë të forta. A mendoni se Kosova po rrezikon të humbasë aleatin e saj më të madh?

Mendoj se nuk kam një pasqyrë të qartë të detajeve të këtyre marrëveshjeve dhe kompromiseve për të dhënë një mendim lidhur me këtë. Prandaj më mirë nuk dot ë doja të komentoja elementet specifike të këtyre kompromiseve.

Zoti Clark, a mendoni se është e drejtë që bashkësia ndërkombëtare po i bën presion Kosovës dhe Serbia mbetet e pandëshkuar për sulmin në Banjska?

E dini, kur analizoj balancën e bashkësisë ndërkombëtare, shoh shumë presion mbi Serbinë. Dhe mendoj se presioni është i garantuar sepse Serbia po përpiqet të luajë me dy porta. Unë mendoj se nga njëra anë, njerëzit e zgjuar në Serbi e kuptojnë se është e nevojshme të kenë marrëdhëniet e tyre me perëndimin, por mendoj se poli historik dhe disa nga partitë radikale në Serbi ende po përpiqen të çojnë përpara interesat e tyre egoiste për të ruajtur marrëdhënien me Rusinë. Dhe Serbia do të duhet ta kuptojë këtë.  Nuk mund të luajë me dy porta…

Ka vite që ka pasur përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, por pa ndonjë rezultat të rëndësishëm. Çfarë po shkon keq në procesin e dialogut? Dhe a mendoni se Serbia do ta njohë ndonjëherë Kosovën si shtet?

Mendoj se Serbia përfundimisht do ta njohë Kosovën si shtet. Unë mendoj se shumë do të varet nga mënyra se si do të përfundojë lufta në Ukrainë. Nëse Ukraina pranohet si anëtare e NATO-s dhe se si do ti përgjigjet Rusia kësaj. Dhe përfundimisht, siç tha Presidenti Obama, historia do të përkulet nga drejtësia. Dhe unë mendoj se drejtësia në këtë rast është ajo qe serbët do të lënë mënjanë ambiciet dhe pasiguritë e tyre historike dhe do të kalojnë në shekullin e 21-të. Të njëjtën gjë duhet ta bëjë Kosova dhe të gjitha vendet e tjera të rajonit.

Gjeneral, a mendoni se Kosova është gati të anëtarësohet në NATO? Po Serbia?

Mendoj se me Serbinë ka çështje politike. Nuk mendoj se është gati të anëtarësohet në NATO. Do të ishte befasuese nëse do te ndodhte. Nëse Serbia dot e merrej me çështjet problematike do të ishte e mirëseardhur të anëtarësohej në NATO. Unë mendoj se kjo do të ishte një gjë e mrekullueshme. Do të doja gjithashtu të shihja Kosovën gjithashtu në NATO. Ka disa gjëra specifike që duhet të bëhen

për të qenë gati për anëtarësim në aleancë, dhe do të më duhej të hyja në detaje specifike për ta vlerësuar gatishmërinë për t'u anëtarësuar, dhe nuk e kam bërë këtë. Por mendoj se në parim do të ishte një gjë e mrekullueshme nëse i gjithë Ballkani ishte në NATO.

Gjeneral Clark, faleminderit shumë që ndatë mendimin tuaj me ne.

E vlerësojmë vërtet. Faleminderit. Ka qenë një nder të jem me ju. Faleminderit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos