“Radojçiç po trajnon terroristë të tjerë”, Sveçla kritika aleatëve: Hezitimi i tyre solli Banjskën

Nga A2 CNN
29 Mars 2024, 20:24 | Politikë

Në një intervistë për Ditarin e Kosovës në A2 CNN, Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla lëshoi kritika ndaj aleatëve perëndimor, për të cilët tha se hezitimi i tyre ndaj Serbisë në disa raste agresioni në veri të Kosovës, i dha krahë Beogradit për të realizuar sulmin në Banjskë.

“Serbia është mësuar që të luajë rolin e viktimës qoftë dhe në rastin e Banjskës. Për mua si dikush që është rrit në Kosovë, por dhe që kam qenë në realitetin politik të saj, sjellja e Serbisë nuk është e befasishme. Befasuese është sjellja e qarqeve të ndryshme në Bashkimin Europian. Sot dëgjova një deklaratë të zv/kryetares së PE e cila shprehte kundërshtinë e saj ndaj qasjes së pabalancuar, të padrejtë të BE, ku struktura ekstremiste të Serbisë sulmuan KFOR. Dhe në vend që Serbia të dënohej, iu vunë sanksione Kosovës. Dhe prandaj ndodhi dhe sulmi i Banjskës, pasi u toleruan disa ngjarje të mëparshme si rrëmbimi i policëve të Kosovës apo sulmet ndaj KFOR në veri. Ishte një sulm serioz 3 pjesëtarë të KFOR humbën gjymtyrët, dihet kush e dhanë urdhrin”, tha Sveçla.

Ministri i Brendshëm shtoi se tashmë partnerët i kanë të gjitha të dhënat për këtë ngjarje të rëndë dhe shtoi se Kosova nuk duhet të bjerë në kurthin e dënimit të vetëm Radoiçiç pasi ai sipas tij urdhërohej direkt nga presidenti Vuçiç. Sveçla shtoi se Milan Radoiçiç është në krye të trajnimit të grupeve terroriste dhe mund të ndërmarrë ndonjë tjetër sulm nëse merr urdhër.

“Dhe për Banjskën i kemi ndarë informatat me partnerët dhe ka hezitim për të mbajtur qëndrim ndaj Serbisë.  Nuk duhet të biem në kurthin e dënimit vetëm të Raidoçiç. Ai ka qenë kryetar i një subjekti politik të lidhur drejtpërdrejt me Serbinë. Pastaj është armatosur dhe trajnuar në kazermat e Serbisë. Është financuar nga shteti i Serbisë dhe urdhrat i ka marrë nga Vuçiç. Ai është udhëheqësi i grupeve të trajnimit dhe mund të marrë ndonjë urdhër tjetër nga Vuçiç për të sulmuar”, përfundoi Sveçla.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli