“Vendim i turpshëm dhe skandaloz”, Serbia: Gjest armiqësor nëse Kosova anëtarësohet në KiE

Nga Rosalba Bejdo
28 Mars 2024, 12:51 | Politikë

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës do të ishte një gjest armiqësor karshi Serbisë. Ishte ky mesazhi që erdhi nga Beogradi disa orë pasi Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Europës miratoi raportin e raportueses Dora Bakoyannis, ku u rekomandua anëtarësimi i Kosovës në këtë organizëm.

Shefi i zyrtës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, tha se Beogradi “nuk do të ndalet së kundërshtuari këtë gjë, haptazi, politikisht dhe në mënyrë procedurale”.

“Ka një dëshirë për nxitim për zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës, për shkak të disa interesave gjeostrategjike që kanë pak të bëjnë qoftë me Beogradin apo Prishtinën. Por, ata që vendosin për këtë le të mendojnë me kujdes nëse anëtarësimi i mundshëm i Prishtinës në Këshillin e Evropës do të kontribuojë për paqe, stabilitet dhe bashkëpunim në kontinentin tonë, apo nëse do të kishte efektin e kundërt”, tha Petkoviç.

Ai shtoi se Serbia i bën thirrje partnerëve të saj në Këshillin e Evropës “të kenë parasysh se një rezultat i tillë do të ishte precedent që do të shkatërronte vetë parimet mbi të cilat është themeluar organizata” kur vendosin që të përfshijnë edhe Kosovën.  

Lidhur me çështjen reagoi më herët edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, i cili theksoi se vendimi ishte i turpshëm dhe skandaloz. Më herët, Aleksandër Vuçiç ka paralajmëruar mundësinë e tërheqjes së Serbisë nga Këshilli i Europës nëse Kosova do të pranohej në organizatë. Ideja e Vuçiçit është përkrahur nga ish-kryeministrja, tani kryetarja e Parlamentit serb, Ana Brnabiç.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos