Kosova shënoi sukses të madh, hapat e tjerë të anëtarësimit në KiE

Nga Tomorr Avdia
28 Mars 2024, 09:34 | Politikë

Kosova shënoi sukses të madh, hapat e tjerë të

Kosova ka kaluar me sukses të madh votimin e djeshëm në Komitetin e Asamblesë Parlamentare në KiE, që është edhe hapi i parë për procesin e anëtarësimit të vendit në Këshillin e Evropës. Kjo ndodhi pas miratimit të opinionit të raportueses Dora Bakoyannis në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Këshillit të Evropës.

Ky opinion rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë parakusht shtesë. Asnjë nga zotimet që duhet t’i marrë përsipër Kosova nuk kërkohet të realizohen para anëtarësimit. Madje në pikën 11 thuhet qartë se zotimi duhet të adresohet pas anëtarësimit.

Të gjitha propozimet që të vendosen parakushte të reja janë refuzuar nga shumica e anëtarëve të Komitetit, gjë që tregon se Kosova duhet të bëhet anëtare në maj të këtij viti dhe parakushtet e reja do të ishin të padrejta.

Opinioni kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës, fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2008 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën. Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet (state), sipas nenit 4 të Statutit të KiE, dhe jo si vend (country), sipas nenit 5.

Suksesi i djeshëm i Kosovës, hap rrugën për votimin e opinionit në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili do të mbahet në Strasburg në javën e 15 prillit. Pas votimit të suksesshëm aty, opinioni do t’i dërgohet Komitetit të Ministrave të cilët duhet të votojnë për anëtarësimin e Kosovës në ministerialin e radhës që do të mbahet në maj të këtij viti.

Teksti i opinionit dhe suksesi i sotëm janë rezultate të një pune të pandalshme të të gjitha institucioneve të Kosovës dhe koordinimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtar.

Detaje për hapat tjerë të anëtarësimit të Kosovës në KiE Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka bërë të ditur hapin tjetër që do të merret lidhur me anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Në njoftimin e lëshuar në platformën X thuhet se më 18 prill pritet që të mbahet një debat parlamentar për Raportin e anëtarësimit të Kosovës.

“Komiteti i Çështjeve Politike të PACE, i mbledhur në Paris, ka rekomanduar që Kosova të ftohet të bëhet anëtare e Këshillit Evropian”

“Hapi tjetër: një debat plenar – që pritet të mbahet më 18 prill – dhe një votim i plotë nga Asamblea mbi qëndrimin statutor”, thuhet në njoftim.

Raporti u miratua me 31 vota për, 4 kundër dhe një abstenim.

A2 CNN Livestream

Dita jonë