Kosova mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare këtë verë. Gati çdokush nga spektri politik në vend, flet për këtë, madje edhe prej partisë në pushtet - por, zyrtarisht, askush nuk e thotë se përse vendi do të duhej të shkonte në një proces të ri votimesh, pak muaj para përfundimit të mandatit të Qeverisë së Albin Kurtit.
Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, thotë se ka një marrëveshje të fshehtë mes PDK-së dhe Vetëvendosjes për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme.
Ish kryeministri foli edhe për kërkesën e PDK-së që zgjedhjet të mbahen këtë qershor.
“Ne kemi mocion për shkarkim të qeverisë, kështu është radha , nëse shkojmë drejt në shpërbërje të Kuvendit që i kërkon dy e treta, është kryesisht agjenda e Kurtit kjo, që i bie PDK po ja plotëson kërkesën Kurtit, ose kanë koalicion me Kurtin për mënyrën si me ecën përpara drejt zgjedhjeve”, - ka theksuar Haradinaj.
Ndaj deklaratës së Haradinaj ka reaguar kryetari i Grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, që për A2 CNN thotë se partia e tij ka nisur me kohë përgatitjen për zgjedhjet, duke zyrtarizuar dhe një kandidat për kryeministër.
Zv/shefi i Grupit parlamentar i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, ka deklaruar për A2CNN se partia në pushtet është gati për të votuar shpërbërjen e kuvendit, por jo për të rrëzuar qeverinë.
Tri partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, PDK, LDK dhe AAK, ka kohë që kanë shprehur gatishmërinë për të shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Por ende nuk kanë gjetur një formulë.
Javën e kaluar, oferta e kryeministrit Albin Kurti për partitë opozitare se “bashkë mund t’i bëjnë numrat për ta shpërndarë Kuvendin”, ka rikthyer debatin për zgjedhje të parakohshme në vend. (A2 Televizion)