Për Kosovën shqyrtimi i draftit të të Bashkimit Europian për Asociacionin do të realizohet vetëm nëse Serbia zbaton marrëveshjen bazë të arritur në Bruksel dhe aneskin e Ohrit. Kështu është shprehur në një intervistë për Kosovapress, Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla Zhvarc.
“Ne nuk e injorojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ai Asociacion me ato të drejta të fuqishme që i ka dhënë marrëveshja e vitit 2013-2015 me këtë qeverisje nuk mund të realizohet. Kjo ka qenë arsyeja që më vonë na ka ardhur një draft i ri i prezantuar nga BE. Mirëpo, ne edhe me draftin e ri të BE-së e kemi parë që me Serbinë gjatë bisedave bilaterale në Bruksel nuk kemi arritur sukses. Ne nuk mund të aplikojmë diçka, e cila është e paraparë në Bruksel si pjesë e marrëveshjes në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, nëse Serbia e refuzon. Ai i cili sot quhet drafti i Lajçak është gjithashtu e pamundur që institucionet tona të bëjnë çfarëdo që të jetë me atë draft. Ai është pjesë e një pakoje që parasheh marrëveshjen bazike, planin e implementimit dhe draftin e Lajçak”, tha ajo.
Sipas saj, Kosova nuk mund të dërgojë draftin e Miroslav Lajçak për asociacionin në Gjykatën Kushtetuese si pjesë të ndarë nga marrëveshja e arritur vitin e kaluar, por vetëm si pjesë e pakos që parashikon edhe planin e detajuar të implementimit. Mirëpo ajo shton se pas kësaj mosgatishmërie të aleatëve të Kosovës për të trajtuar këtë temë, tashmë as qeveria s’ka optimizëm për të ndërmarrë atë iniciativë.
“Nuk mund të dërgojmë atë draft, pasi e para, draftet nuk dërgohen në Gjykatë Kushtetuese. Draftet duhet të kalojnë në disa etapa para se të dërgohen në Gjykatë Kushtetuese. Ky draft në këtë formë siç është i shkëputur nga pakoja në Bruksel nuk mund të procedohet nga qeveria asnjë hap. Jo vetëm që nuk mund të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese, por nuk mund t’i nënshtrohet proceseve të tjera, pasi ky është pjesë e një pakoje, të cilën ne nuk jemi të gatshëm të shkëpusim. Çfarë kemi thënë ne, iu kemi propozuar partnerëve tanë që nëse ata konsiderojnë se me Serbinë në formë bilaterale mund të arrijmë sukses. Atëherë ne si qeveri e përgjegjshme kemi treguar gatishmërinë tonë që të ulemi me përfaqësuesit e serbëve në Kosovë dhe të hartojmë një dokument i cili respekton rendin tonë kushtetues, por të njëjtën kohë plotëson disa nga kërkesat e komunitetit serb në Kosovë. Mirëpo, për këtë propozim tonin ende nuk kemi hasur në gatishmërinë e partnerëve tanë”, tha ajo.
Sipas saj, aleatët e Kosovës zyrtarisht asnjëherë nuk i kanë kërkuar Kosovës të hartojë një draft për asociacionin, por gjithmonë ka qenë në suaza të arritjes së një dakordimi në Bruksel.
“Nuk është e vërtetë se ka qenë ndonjëherë opsion i vetëm që Kosova të hartojë një draft dhe ta paraqesë. Gjithmonë ka qenë në suaza të asaj se çfarë po ndodh në Bruksel... Kjo është oferta jonë, nëse e shohim se në Bruksel ky dialog i dështuar deri tani nuk mund të sjell rezultate atëherë pse të vonohemi dhe të diskutojmë tema. Të them të drejtën, pas rezultatit që kemi pasur dhe mosgatishmërisë së plotë të partnerëve tanë për të trajtuar këtë temë nuk është shumë i madh optimizmi dhe gatishmëria e institucioneve tona për t’i hyrë kësaj rruge. Ne e bëmë ofertën tonë, por nëse oferta nuk merret parasysh, ajo mund të jetë përjetësisht”.
Duke folur për dialogun me Serbinë dhe ndryshimin e qasjes së Bashkimit Evropian pas zgjedhjeve europarlamentare, Ministrja e Jashtme e Kosovës thotë se është e rëndësishme se ajo çfarë ka ndodhur me dialogun në vitet e kaluara të mos përsëritet. (A2 Televizion)