“Kosova është këtu falë ndërkombëtarëve”, Ali Ahmeti: Duhet koordinim me aleatët

Nga A2 CNN
16 Shkurt 2024, 21:24 | Politikë

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, këshillon Kosovën që të veprojë në koordinim me komunitetin ndërkombëtar. Sipas tij, shtetet në vazhdimësi janë ndërtuar me aleanca.

Teksa flet për vendimin e Kosovës për ndalimin e dinarit dhe ndikimin në marrëdhëniet me SHBA-të, Ahmeti vlerëson se miqësitë duhet të zgjerohen e jo të ketë kundërshtime në këshillat e komunitetit ndërkombëtar.

“Kosova ka autoritetet e veta, Kosova ka subjektivitet edhe ndërkombëtar. Por, Kosova ka arritur deri këtu në komunikim, bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Prandaj ky komunikim duhet të jetë në vazhdimësi, sepse historikisht shtetet janë ndërtuar me aleanca, shtetet janë ndërtuar me miq dhe ne akoma kemi nevojë aleancat t'i ruajmë dhe t'i forcojmë.

Ne akoma kemi nevojë për miq dhe miqësitë t'i zgjerojmë dhe jo të izolohemi dhe të bijmë në kundërshtim me komunikimin, bashkëpunimin dhe me kërkesat, këshillat e komunitetit ndërkombëtar. Kosova vit pas viti duhet të shënojë përparim, përparim në zhvillim ekonomik, përparim në politikat e jashtme, përparim në sundimin e ligjit në vend. Sigurisht duke sunduar ligji, lehtësisht apo i lehtësohet rruga krimit dhe korrupsionit për ta luftuar.

Kështu që jo vetëm Kosova por i tërë Ballkani Perëndimor ka vështirësitë e veta në avancimin e demokracisë, në sundimin e ligjit për këtë arsye ne si shtete të Ballkanit Perëndimor, kemi detyra shtëpie nëse duam të jemi pjesë e Evropës duhet të instalojmë standarde të mirëfillta në drejtim të sundimit të ligjit dhe luftës kundër krimit dhe korrupsionit”, tha Ahmeti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos