Kurti kundër Vuçiç, ekspertët amerikanë: Serbia, "lojtari" i Kremlinit për kaos në Ballkan

Nga A2 CNN
5 Dhjetor 2024, 23:22 | Politikë

Serbia vepron si një lojtar kyç në tentativat e Rusisë për të krijuar kaos në Ballkan. Kështu thekson Ivana Stradner, eksperte e njohur për çështjet ndërkombëtare pranë Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive, në një prononcim për gjigandin amerikan Fox News.

Reagimet e Stradenr dhe ish zrytarëve të tjerë nga Shqipëria dhe Kosova vijnë në momentin kur qeveria e Kosovës ka akuzuar Serbinë për hedhjen në erë të një tubacioni të rëndësishëm që furnizon me ujë dhe energji elektrike popullsinë etnike serbe në veri të Kosovës. 


“Vuçiç ka përdorur një strategji të përshkallëzimit dhe de-përshkallëzimit të krizave në Kosovë për ta portretizuar veten si një burim stabiliteti, duke shfrytëzuar pozicionin e tij si një mjet pazaresh me Perëndimin”, shprehet analistja Ivana Stradner.


Rusia ka lidhje të thella historike, kulturore dhe fetare me Ballkanin dhe narrativat simpatike për Rusinë shpesh burojnë nga Kisha Ortodokse Serbe.

Stradner thotë se Putini i shfrytëzon këto ndarje fetare dhe etnike në Ballkan, duke e shtyrë rajonin në prag të luftës.

Agim Nesho, ish-ambasador i Shqipërisë në SHBA dhe Kombet e Bashkuara, tha për Fox News se, “Rusia ka deklaruar hapur se dëshiron që Ballkani Perëndimor të jetë një rajon neutral dhe e ka të vështirë të pranojë që shumica e vendeve të Ballkanit janë anëtarë të NATO-s".

Disa ekspertë janë të kujdesshëm pasi akuzat dhe informacionet janë shpesh të rrjedhshme pas krizave në Ballkan.

"Ky përshkallëzimi i fundit, njësoj si ato të mëparshmet, përfshin akuza serioze - duke filluar nga pretendimi i Kosovës se qeveria serbe i orkestroi këto ngjarje deri te dyshimet për përfshirjen ruse", tha për Fox News Helena Ivanov, bashkëpunëtore në Shoqërinë Henry Jackson.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha në një konferencë për shtyp se sulmi në infrastrukturën kritike ishte i ngjashëm me veprimet e Rusisë që synojnë infrastrukturën energjetike në Ukrainë. Deri më tani, nuk ka asnjë provë që sugjeron se Rusia kishte ndonjë përfshirje.

“Të gjitha provat zbulojnë një vazhdimësi të strategjisë së agresionit të Serbisë, me regjimin e Vuçiqit që shfrytëzon një bollëk burimesh, duke përfshirë lidhjet me krimin e organizuar, në përpjekjet e tyre për të shkaktuar dëm dhe për të shkaktuar destabilitet brenda Kosovës”, tha Ilir Dugolli, ambasadori i Kosovës në SHBA. tha për Fox News Digital.

Vuçiq ka pohuar në një postim në Instagram se akuzat kundër Serbisë kanë për qëllim të njollosin reputacionin ndërkombëtar të Serbisë dhe të minojnë stabilitetin në rajonin e Ballkanit. Ministri i Jashtëm serb Marko Gjuriq tha për Fox News Digital se sabotimi që ndodhi në veri të Kosovës është një kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin dhe ai përsëriti kërkesën e Vuçiqit për një hetim të plotë nën mbikëqyrjen ndërkombëtare.

“Ne kemi arsye të besojmë se ky ishte një sulm hibrid që synonte diskreditimin e Serbisë dhe kjo është arsyeja pse ne vazhdojmë të theksojmë se është në interesin tonë imediat të identifikojmë autorët dhe organizatorët pas këtij sulmi”, tha Gjuriç për Fox News.

Si Serbia ashtu edhe Kosova janë aspirante në BE, dhe dhënia fund e grindjeve të tyre është një kërkesë thelbësore për të fituar anëtarësimin. Dështimi për të përmbushur detyrimet e tyre ose rritja e tensioneve do të ketë pasoja negative për proceset e anëtarësimit të tyre në BE dhe do të bllokojë çdo ndihmë të mundshme financiare të BE-së. 
(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos