
Në Kosovë është mbyllur përfundimisht procesi i numërimit të votave, duke çuar kështu edhe në certifikimin përfundimtar të zgjedhjeve të fundit parlamentare. Nga këto zgjedhje, parti e parë ka dalë Lëvizja Vetëvendosje me 47.13%, apo 53 ulëse në Kuvend. E dyta Partia Demokratike e Kosovës, me 19.44%, apo 22 deputetë. Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës, me 16.69%, ka fituar 18 ulëse, si dhe Aleanca, me 6.74%, shtatë ulëse. Kurse, komunitetet joshumicë kanë siguruar 20 ulëse.
Certifikimi i rezultateve do t’i hapë rrugë formimit të institucioneve të reja, ku Kuvendi ka afat tridhjetë ditë që të mblidhet për t’u konstituuar.
Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se certifikimi ndodhi pas refuzimit të ankesave nga Gjykata Supreme në lidhje me rezultatin zgjedhor.
“Nga vendimet e fundit që i kemi pranuar nga Gjykata Supreme nuk ka pasur ndonjë obligim për KQZ-në. Të gjitha ankesat janë refuzuar, andaj është hapur rruga për certifikimin e rezultatit. Ndërkohë kemi komunikuar edhe një herë me PZAP-në dhe kemi marrë konfirmimin se nuk ka ndonjë ankesë që është duke u zhvilluar lidhur me procesin zgjedhor”, tha ai.
Ndërkohë, Radoniqi bëri të ditur se kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, si dhe zyrtari i lartë i kësaj partie, Daut Haradinaj, janë tërhequr nga ulëset në Kuvend. Të njëjtit u zëvendësuan nga kandidatët në radhë, Bekë Berisha e Burim Ramadani.
“Te radhët e Aleancës kemi një ndryshim në renditje. Në vend të Ardian Gjinit, zëvendësohet me Bekë Berishën, ndërsa në vend të Daut Haradinajt kemi Burim Ramadanin”, theksoi ai.
Kushtetuta parasheh që pas certifikimit, seanca konstituive duhet të mbahet brenda 30 ditësh. Aty duhet të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët, e më pas mund të vazhdohet me procedurat për formimin e Qeverisë apo edhe zgjedhjen e presidentit (A2 Televizion)