Bardhi në Parlamentin Europian: Kuvendi nuk kontrollon më qeverinë, kjo dëmton rrugën drejt BE-së

Nga A2 CNN
8 Korrik 2026, 16:57 | Politikë

Bardhi në Parlamentin Europian: Kuvendi nuk kontrollon më

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi në takimin e përbashkët BE–Shqipëri në Parlamentin Europian se Kuvendi i Shqipërisë është larguar nga funksioni i tij kushtetues dhe nuk po ushtron më rolin e kontrollit dhe mbikëqyrjes ndaj qeverisë.

Në fjalën e tij, Bardhi tha se Parlamenti është reduktuar në një institucion që, sipas tij, vetëm miraton vendimet e ekzekutivit dhe nuk garanton standardet demokratike të kërkuara në procesin e integrimit europian.

Sipas tij, shumica parlamentare ka refuzuar debatin e kërkuar nga opozita mbi rezolutën e fundit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, ndërsa nismat ligjore të opozitës nuk janë marrë në shqyrtim.

Fjala e plotë:

Të nderuar kolegë,

Si shumica prej jush në këtë sallë, edhe unë besoj se mënyra se si funksionon një Parlament nuk përcakton vetëm cilësinë e procesit të integrimit europian. Ajo përcakton cilësinë e vetë demokracisë.

Fatkeqësisht, në Shqipëri ky raport është përkeqësuar në mënyrë të vazhdueshme. Parlamenti po largohet çdo ditë e më shumë nga funksioni i tij kushtetues si institucion kontrolli dhe mbikëqyrjeje, për t'u reduktuar në një noter të vendimeve të qeverisë.

Vetëm pak ditë më parë, Kuvendi i Shqipërisë dha demonstrimin më të qartë të këtij përkeqësimi institucional, një zhvillim që nuk përputhet me standardet europiane të funksionimit të institucioneve demokratike.

Me forcën e kartonit, shumica parlamentare refuzoi debatin e kërkuar nga opozita mbi Rezolutën e Parlamentit Europian për Shqipërinë, që ngre edhe shqetësime serioze për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe të institucioneve demokratike.

Sot Parlamenti shqiptar nuk e udhëheq procesin e integrimit europian, sepse nuk ushtron më funksionet kushtetuese për të cilat është zgjedhur:

nuk merr nisma ligjvënëse,

nuk siguron llogaridhënie të qeverisë

dhe nuk ushtron kontroll e mbikëqyrje efektive.

Por problemi është edhe më i thellë. Shumica parlamentare jo vetëm që e ka zhveshur Parlamentin nga këto funksione, por i mohon edhe opozitës të drejtën për t'i ushtruar ato.

Së pari, Parlamenti nuk merr në shqyrtim nismat e opozitës. Pas Rezolutës së fundit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, opozita vendosi t’i kthejë një pjesë të rekomandimeve të saj në nisma konkrete ligjore. Asnjëra prej tyre nuk përfshihet në shqyrtim.

Së dyti, Parlamenti nuk kontrollon qeverinë. Instrumenti më i drejtpërdrejtë i llogaridhënies është interpelanca me Kryeministrin.

Gjatë këtij sesioni parlamentar, opozita ka kërkuar 11 interpelanca me Kryeministrin. Asnjëra nuk është zhvilluar, sepse kryeminitri refuzon te jap llogari per aktet qe mbajne firmen e  tij.   Zero në 11 interpelanca të kërkuara.

Pa llogaridhënie parlamentare nuk mund të ketë as shtet të së drejtës, as institucione demokratike që funksionojnë sipas standardeve europiane, as integrim në Bashkimin Europian.

Por kontrolli parlamentar nuk është i vetmi funksion kushtetues që është dobësuar. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me funksionin mbikëqyrës të Parlamentit, veçanërisht në procesin e integrimit europian.

Komisioni për Integrimin Europian u bashkua me Komisionin e Politikës së Jashtme dhe drejtimi iu rikthye shumicës.

Kështu u zhduk i vetmi mekanizëm institucional që garantonte një mbikëqyrje të pavarur parlamentare mbi procesin e negociatave dhe përfshirjen e opozitës.

E njëjta logjikë është ndjekur edhe ndaj instrumenteve të tjera të kontrollit.

Pesë kërkesa të opozitës për komisione hetimore parlamentare janë refuzuar të gjitha.

Në vend që të luaj rol në përshpejtimin e procesit të integrimit, Parlamenti përmes veprimeve të tij po bëhet pengesë. Më lejoni tju sjell në vëmendje vendimin e Parlamentit për të mos i hequr imunitetin Zëvendëskryeministres Belinda Balluku, të akuzuar nga SPAK për paracaktim të tenderave, korrupsion dhe pastrim parash. Mbrojtja politike e korrupsionit të zyratrëve të lartë, nuk e ndihmon integrimin, por e vështirëson atë.

Të nderuar kolegë,

Procesi i integrimit europian nuk matet vetëm me ligjet që miratohen apo me kapitujt që hapen, diksutohen dhe mbyllen.

Ai matet edhe me mënyrën se si funksionojnë institucionet demokratike.

Një Parlament që nuk merr nisma, nuk kontrollon qeverinë dhe nuk ushtron mbikëqyrje, ai nuk kryen funksionin për të cilin është zgjedhur.

Mund t’i vendosim shumë emra këtij institucioni: sekretariat i ekzekutivit, zyrë protokolli apo noter i qeverisë.

Por nuk mund ta quajmë Parlament në kuptimin europian të fjalës.

Në fillim të fjalës sime shpreha bindjen se mënyra se si funksionon një Parlament përcakton cilësinë e demokracisë. Pikërisht për këtë arsye, Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për më shumë kapituj të hapur. Ka nevojë për një Parlament që ushtron plotësisht funksionet e tij kushtetuese. Që ka rol në procesin e integrimit. Sepse vetëm atëherë procesi i integrimit do të jetë jo vetëm më i shpejtë, por edhe më i besueshëm.

Ju faleminderit.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos