Trafikuan 8 tonë drogë, SPAK kërkon gjyq për Artur Hoxhosmanin e 14 të tjerë

Nga A2 CNN
8 Korrik 2026, 17:37 | Kronikë

SPAK i kërkon Gjykatës së Posaçme të përballet në sallën e gjyqit me 15 persona, të dyshuar si anëtarë të një grupi kriminal, përgjegjës për trafikimin e gati 8 tonëve drogë nga Amerika Latine në Europë.

Hetimi i SPAK, i ndihmuar nga të dhënat e SKY EÇ dhe informacionit të shkëmbyer me disa autoritetet e partnere europiane, por edhe ato amerikano-latine, ka dokumentuar disa episode kriminale në vitet 2020-2021, ku janë trafikuar afro 7 ton kokainë, 590 kg hashash dhe 275 kg kanabis sattiva.

Pjesëtarë të këtij grupimi dyshohet të jenë edhe persona që kanë apo kanë pasur të tjera hesape me SPAK, si Plaurent Dervishaj e Julian Meçe, të dënuar përkatësisht me burgim të përjetshëm dhe 35 vite për atentatin ndaj ish-prokurorit, Arjan Ndoja, Erion Alibej, bashkëpunëtor i drejtësisë në dosjen “Plumbi i artë” në Gjykatën e Posaçme, apo edhe Ramazan Rraja.

Mes 15 të pandehurve, SPAK evidenton disa prej tyre në pozicion drejtuese dhe financuese në linjat e trafikut, siç dyshohet të jenë Artur Hoxhosmani, Genti Dërjaku, Devid Patrut e Erion Alibej. Nga hetimi ka rezultuar e provuar se të pandehurit në bashkëpunim mes tyre, me persona të dënuar nga autoritetet e huaj, me persona të proceduar nga autoritetet shqiptare, apo persona ende të paidentifikuar, kanë trafikuar nga vendet e Amerikës Latine Brazil, Ekuador e Kolumbi dhe Spanja e Maroku për në vendet evropiane Itali, Belgjikë, Spanjë e Holandë.

Në vendet e destinacionit ata dyshohet se kanë tregtuar e ofruar për shitje lëndën narkotike, në formën e grupit të strukturuar kriminal. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos