Veliaj, kërkesë për përshpejtim të rigjykimit në Gjykatën e Lartë

Nga Armand Bajrami
8 Korrik 2026, 09:11 | Kronikë

Veliaj, kërkesë për përshpejtim të rigjykimit në

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar Gjykatës së Lartë me një kërkesë për përshpejtimin e rigjykimit të çështjes së tij, si dhe për shqyrtimin e parashtrimeve pas vendimit të mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese.

Në kërkesën e depozituar, Veliaj argumenton se nevoja për një shqyrtim të shpejtë lidhet me pasojat që, sipas tij, po prodhon masa e sigurisë ndaj lirisë personale, ushtrimit të mandatit dhe funksionimit të Bashkisë së Tiranës.

Kërkesa për përshpejtim nuk mbështetet në një interes abstrakt për shqyrtim të shpejtë, por në pasoja konkrete dhe të përditshme mbi lirinë personale, mbi ushtrimin e mandatit të fituar me votë dhe mbi funksionimin e qeverisjes vendore në Bashkinë e Tiranës”, thuhet në kërkesë.

Më tej, Veliaj thekson se çdo vonesë në rigjykim sjell pasoja të pakthyeshme për ushtrimin e mandatit të tij si kryebashkiak.

Çdo vonesë në rigjykim nuk është, për rrjedhojë, thjesht vonesë procedurale; ajo konsumon vetë kohën e mandatit dhe e bën gjithnjë e më të pakthyeshme pasojën që masa e sigurimit ka prodhuar mbi ushtrimin e funksionit publik, si dhe të pazbatueshëm efektivisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Për rrjedhojë, edhe një vendim eventualisht pozitiv i Gjykatës së Lartë, nëse jepet pasi koha reale e mandatit të jetë konsumuar në mënyrë të konsiderueshme ose pranë përfundimit, do të rrezikonte të mbetej pa efekt praktik, pasi nuk do të mund të rikthente në mënyrë reale periudhën e humbur të ushtrimit të mandatit, as të riparonte pasojën institucionale të krijuar nga pamundësimi faktik i funksionit të Kryetarit të Bashkisë dhe as cenimin e së drejtës së qytetarëve dhe zgjedhësve për t’u qeverisur nga përfaqësuesi i zgjedhur prej tyre”, vijon kërkesa. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos