Koncerti i Kanye West, Rama: Sjell 100 milionë euro të ardhura. Sorrat dhe korbat bëjnë llogari perverse!

Nga A2 CNN
8 Korrik 2026, 09:28 | Politikë

Koncerti i Kanye West, Rama: Sjell 100 milionë euro të ardhura. Sorrat

Kryeministri Edi Rama u ka dhënë sot përgjigje kritikave dhe pikëpyetjeve në lidhje me akordimin e 4 milionë euro për koncertin e Kanye West, duke theksuar se 25 mijë të huaj nga 80 shtete i kanë blerë me kohë biletat.

Ai e konsideron këtë event një mundësi për promovimin e turizmit dhe stimulimin e ekonomisë, duke u shprehur se llogariten të ardhura jo më pak se 100 milionë euro.

4 MILIONË EURO në minutën e fundit, për të mos turpëruar Shqipërinë, në sytë e afro 25 mijë të huajve nga 80 shtete që gjermësot kanë blerë me kohë biletat për Kanye West; për të mos humbur një mundësi fantastike promovimi të Shqipërisë Turistike, për një nga komunitetet më të mëdha të botës, dashamirët e muzikës; për të stimuluar ekonominë, e cila sa për një shembull, sipas UEFA-s, pati një hyrje prej 160 milionë eurosh nga Finalja e Conference League-s, ndërkohë që nga ky koncert - në kushtet e vështirësuara artificialisht prej dështakzemërakëve - ne llogarisim jo më pak se 100 milionë euro të ardhura. Mjafton të shihet shpërthimi i rezervimeve në booking.com për të premten, të shtunën e të dielën, për të krijuar një ide të përfitimit direkt ekonomik për familjet, biznesin dhe arkën e bashkisë e të shtetit, nga rritja e konsumit, pa llogaritur këtu fare përfitimin e shtrirë në kohë”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

Kreu i qeverisë foli për sorra dhe korba të kanaleve sociale, që sipas tij janë manipulatorë të paskrupullt, duke i quajtur si djallëzore aludimet se të sëmurët me kancer do mbeten pa ilaçe si pasojë e “koncertit privat”.

Ai u shpreh se vetëm pak ditë më parë janë nxjerrë 15 milionë euro plus vetëm për ilaçet e të sëmurëve me kancer dhe 5 milionë për aparatura mjekësore.

Tani sorrat dhe korbat e kanaleve sociale, janë turrur me një furi glasash duke bërë llogarira perverse prej manipulatorësh të paskrupullt, e duke bërë sikur qajnë hallin e popullit dhe deri edhe të sëmurëve me kancer, që do mbeten pa ilaçe si pasojë e “koncertit privat”, siç e quajnë djallëzisht. Por mjerë ky popull e mjerë çdo i sëmurë, po të mbeteshin në kthetrat e këtyre zabrahanëve digjitalë, të mbështetur me këtë rast nga duart e armiqve e dashakëqinjve të Shqipërisë, të cilët lëshojnë papushim helm në kanalet sociale përmes dhjetëra mijëra profilesh fallco, duke përfituar nga etja për pushtet dhe kokëboshësia e uzurpatorëve të protestës qytetare.

U kujtoj të tërëve se vetëm pak ditë më parë, ne nxorrëm 15 milionë Euro plus vetëm për ilaçet e të sëmurëve me kancer dhe 5 milionë për aparatura mjekësore; dyfishuam mbështetjen për personat me aftësi të kufizuar dhe mbështetëm kujdestarët e tyre; dyfishuam mbështetjen për fëmijët me aftësi të veçanta; dyfishuam financimin e Start Up-eve; dyfishuam garancinë sovrane për programin dyfisho biznesin tënd; financuam një paketë të tërë ekstra për zhvillimin urban e rural, mbrojtjen dhe të gjitha këto e të tjera akoma ishin në Aktin Normativ të fundqershorit, ku qershia mbi tortë ishte padyshim bonusi i pensionistëve”, shprehet Rama.

Tani çfarë duan sorrat dhe korbat që e privatizuan djallëzisht protestën qytetare të flamingove, duke i detyruar të shtegtojnë larg bulevardit? Shumë e thjeshtë:  Duan të ndalin dhe kthejnë mbrapa Shqipërinë! Me dhunën e arbitraritetit, të sharjeve, të shpifjeve, të akuzave dhe kërcënimeve për këdo që mendon ndryshe prej tyre! Ta harrojnë! Shqipëria nuk ndalet dhe nuk ka asnjë shans të kthehet mbrapsh”, vijon ai.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos