Këshilli i Sigurisë i Kosovës ndërmori masa emergjente për zbutjen e pasojave dhe ruajtjen e sigurisë së infrastrukturës kritike të vendit, pas një sulmi që dëmtoi kanalin e ujësjellësit të Ibër-Lepencit në veri të vendit.
Këshilli mbajti një takim të jashtëzakonshëm, ku mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, disa orë pasi një shpërthim mbrëmjen e së premtes në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut rrezikoi furnizimin me ujë dhe energji të vendit. Kanali i sulmuar furnizon me ujë disa qytete përmes liqenit të Ujmanit dhe Korporatën Energjetike të Kosovës.
Në një komunikatë pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit, thuhet se “të dhënat e para sugjerojnë se ky sulm i radhës është orkestruar nga shteti serb, i cili ka kapacitete për një sulm të tillë kriminal e terrorist. Elemente të organizatave terroriste ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada Veriore’, si dhe kryekrimineli Millan Radoiçiq, nën dirigjimin e Presidentit dhe Qeverisë së Serbisë, planifikojnë dhe stërviten në Serbi për sulme të tilla profesionale”.
Qeveria njoftoi aktivizimin në terren të Policisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës për të garantuar sigurinë pranë infrastrukturave kritike.
Kryeministri Albin Kurti, i cili inspektoi dëmet në Zubin Potok gjatë së shtunës, tha se Uashingtoni dhe Brukseli duhet t’i kërkojnë llogari Beogradit. Sipas tij, eksplozivi është vendosur nga grupe profesioniste të paguara nga Serbia.
Presidentja Vjosa Osmani, e cila anuloi vizitën shtetërore në Brunei, e cilësoi shpërthimin akt terrorist dhe tha se bandat kriminale serbe kanë humbur çdo betejë me institucionet e Kosovës.
Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e quajti këtë “aktin më të madh terrorist ndaj infrastrukturës kritike që nga përfundimi i luftës në Kosovë.”
Policia e Kosovës bastisi disa shtëpi në veri të vendit, siç bëri të ditur zëvendësdrejtori i Policisë për Veriun, Veton Elshani.
Mëngjesin e së shtunës, autoritetet njoftuan se kanë kryer një “rregullim të përkohshëm në kanalin e dëmtuar” dhe shpresojnë që furnizimi me energji elektrike të vazhdojë “i pacenuar”.
Sipas ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, të shtunën është siguruar furnizimi i rregullt me energji elektrike për vendin dhe ngrohje qendrore për kryeqytetin, Prishtinë. (A2 Televizion)