Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të dalë në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp pas shpërthimit të fuqishëm në Zubin Potok, në fshatin Varagë.
Shpërthimi ka ndodhur në kanalin e ujësjellësit të kompanisë “Ibër Lepenci”. Për pasojë, uji po derdhet në mënyrë të pakontrolluar, shkruan A2 CNN.
Furnizimi me ujë tashmë është ndërprerë për qytetarët e Mitrovicës, ndërsa rrezikohet që të ketë edhe ndërprerje të energjisë elektrike pasi i njëjti ujë i shërben edhe Korporatës Energjetike të Kosovës për ftohje në termoncentralet e saj të prodhimit të rrymës.
Ky sulm vjen pas atyre me granata në Zveçan, fillimisht në stacionin policor e më pas edhe te komuna. (A2 Televizion)