Partia Demokratike e Kosovës do të ngrejë padi për shpifje kundër deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu, e cila ditë më parë tha se dy zyrtarët e PDK-së Bernard Nikaj dhe Petrit Selimi kanë lobuar në Bruksel kundër heqjes së masave ndëshkuese ndaj Kosovës.
Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, në konferencë për mediat të premten, tha se pretendimet e deputetes së pushtetit janë shpifje dhe propagandë për të mbuluar dështimet dhe izolimin ndërkombëtar të Kosovës.
Çitaku tha se të deputetja e VV-së, Arbëreshë Kryeziu duke shpifur për këta zyrtarë ka tentuar të njollosë dhe denigrojë jo vetëm ata si individë, por Partinë Demokratike.
Deputetja e VV-së Kryeziu, i është përgjigjur deklaratës së Çitakut, përmes një reagimi në rrjetin social FB.
"Dy zotërinjtë e PDK-së nuk kanë reaguar për lobimin e tyre që mos t’i hiqen masat Kosovës, por paska reaguar një lobuese tjetër nga PDK, Vlora Çitaku. Ajo që dikur mbronte e shtynte tutje projektin e shkëmbimit territorial sot kinse demanton atë të lobimit për mos heqje të masave për Kosovën. Konsistente në projektet e veta", pohon Kryeziu në reagimin e saj në Facebook. (A2 Televizion)