Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e uroi fillimisht nga Vlora 28 nëntorin, vendi ku 112 vite më parë u shpall pavarësia e Shqipërisë.
Ai mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga institucionet shqiptare dhe u shfaq pranë kryeministrit Edi Rama, Presidentit Bajram Begaj dhe kryetares Elisa Spiropali gjatë homazheve në monumentin e pavarësisë në Sheshin e Flamurit.
Në një mesazh në Facebook, teksa ndau imazhe nga ceremonia, Kurti tha se kjo ditë festohet tani me shumë më pak vuajtje se në të kaluarën.
“E kemi më të lehtë sot të bëhemi bashkë, të jemi bashkë”, shkroi ai në Facebook.
Më vonë, Kurti udhëtoi drejt Prekazit, ku zhvilloi homazhe në kompeksin “Adem Jashari”. Atje tha se 28 Nëntori është datë themeltare e historisë së shqiptarëve kudo që ndodhen, ndërsa përmendi edhe daljen e parë publike të UÇK më 28 nëntor të vitit 1997. (A2 Televizion)